Tirana pas viteve 2000 ka pësuar një transformim të madh, duke u shndërruar në një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët e huaj dhe duke qenë në foksus të medieve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau një video nga ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Tirana ndër vite, që prej kohës kur ai ka qenë kryetar i bashkisë.
Edi Rama u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale më 1 tetor 2000, detyrë që e mbajti deri më 2011, shkruan ATSH.
Në fjalimin e tij me marrjen e detyrës së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Rama ka thënë se “qytetarët e Tiranë kërkojnë nga ne ta kthejmë fletën e dhjetë vjetëve të fundit që e shndërruan Tiranën në një qytet të abuzivizmit total dhe të cinizmit të pashoq. Tirana nuk mund të mbijetojë më tutje përmes kaosit dhe anarkisë. Tirana duhet të jetojë”.“Jam i bindur që kthimi në identitet do të vazhdojë ashtu sikundër jam edhe më i bindur që qytetarët e Tiranës shohin përditë që Tirana ndryshon, shohin përditë që Tirana jep shenja rimëkëmbje dhe shprese. Unë nuk merrem me fjalë, unë kam punët nëpërmjet të cilave flas”, ka thënë Rama.
Rama ka thënë se “duhet bërë çmos për të gjithë këtë fëmijë që janë këtu që të paktën të krijohen terrene sportive, ku këta mund të lozin dhe ku këta mund të kalojnë ditën e lirë të tyre me më shumë dinjitet dhe jo nëpër gropa dhe pluhur”.
Në qershor të 2003 në Komisionin e Posaçëm Parlamentar Rama tha se “dëshiroj t’ju sqaroj se pse kjo nuk është një betejë kolektive dhe se pse jeni ju ata që keni sjellë të tërë këta njerëz, të tërë këta qytetarë të lirë, të tërë këta profesionistë të ndershëm në këtë banko të akuzuarish. Këta njerëz që janë këtu me mua janë profesionistë të ndershëm”.
Sheshi “Skënderbej” konsiderohet ndër investimet kryesore për kryeqytetin, ku 50% e të gjithë territorit është i gjelbëruar, ndërsa 50% është pllakë guri, me gurë të sjellë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në vitin 2016, për projektin e Sheshit “Skënderbej”, Veliaj deklaronte se si çdo fillim i vështirë edhe ky projekt ka debat.
Këndi i lodrave te Liqeni Artificial, Pazari i Ri, Unaza e Vogël dhe Parku Olimpik janë disa prej investimeve të tjera të rëndësishme të realizuar në kryeqytet.
Në një tjetër deklaratë në vitin 2017, kryetari i bashkisë së Tiranës shprehej: “Unë e kam dëgjuar zhurmën edhe për këndin e lodrave edhe për Pazarin e Ri edhe për Unazën e Vogël edhe për Parkun Olimpik, por di t’ju them se Shqipëria që fiton është Shqipëria e punës, jo Shqipëria e zhurmës. Kam një thirrje publike për të gjithë, të majtë e të djathtë, të zhurmës e të punës. Ka ardhur koha që përtej cicmiceve të jetë Tirana, përtej zhurmës të jetë Shqipëria dhe përtej sherreve të jetë kombi ynë i madh, kombi shqiptar”.
Ndërkohë në vitin 2020, Veliaj shprehej: “Ne kemi vendosur që ndërtesën më ikonike të Tiranës ta kthejmë në një qendër në një shkollë alternative. Pas disa vitesh projekti me konceptime, arritëm në një konkluzion final, projekti i Winy Maas I MVRDV nga Holanda është projekti fitues për t’i dhënë drejtim një pune dhe kantieri dyvjeçar që do të përfundojë në rijetësimin e Piramidës si qendra më e madhe digjitale në rajonin e Ballkanit”.
Po ashtu janë kryer mbi 9890 ndërhyrje për lirimin e hapësirave nga ndërtimet informale dhe 950 ndërhyrje për t’i hapur rrugën projekteve dhe rrugëve të reja.
Është dyfishuar rrjeti i korsive të dedikuara të autobusëve, si dhe është rritur me 17 numri i linjave të urbanëve duke shtuar me 469 numrin e stacioneve.
Programi i Rindërtimit është një nga programet më të suksesshme, nga i cili kanë përfituar 25 100 familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019. Janë dhënë 11 mijë grante për dëme të lehta dhe të moderuara dhe kanë përfituar 8 mijë familje nga riparimi i 526 pallateve. Janë 3 mijë familje përfituese nga dëmet e mëdha.
Janë rindërtuar 708 banesa individuale dhe janë përuruar dy lagje të reja urbane, Kombinati dhe “5 Maji”. Ndërkohë janë 202 familje përfituese për lagjet e reja në 5 zona rurale Zall-Herr, Vaqarr, Baldushk, Ndroq dhe Pezë.
Nga programet sociale të strehimit janë ndihmuar 6127 familje përmes 3651 kredive të buta, 2057 bonuse strehimi dhe 419 banesa sociale me qera.
2720 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme marrin bursën e ekselencës.