Në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit dëgjohet mbrojtja e dy të akuzuarve
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit dëgjohet mbrojtja e dy të akuzuarve
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është dëgjuar mbrojtja e dy vëllezërve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021.

Në vazhdimin e mbrojtjes, i akuzuari, Jeton Vllasaliu tha se ishte rrugës me veturë me tani të ndjerin Rexhepi, kur ishin ndaluar nga katër persona. Sipas tij, dy persona të maskuar e kishin larguar nga vetura ku ndodhej edhe Bedri Rexhepi dhe në momentin që e kanë liruar i kishin thënë që “tani e tutje ai e dinë çka bënë me trupin e të ndjerit”.

Ai deklaroi se pasi kishte tentuar t’ia jap ndihmën e parë iu dukë më e rrugës që ta varros trupin e Bedri Rexhepit.

I pyetur nga avokati i tij se a kishte parë apo dëgjuar diçka, i akuzuari deklaroi se asgjë nuk ka parë e as nuk ka dëgjuar.

I akuzuari Jeton Vllasaliu më pas tregoi se si e varrosi të ndjerin në fshatin e tij.

Jeton Vllasaliu, i pyetur nga avokati i tij Ndrec Dodaj, se çka bëri me veturën e të ndjerit, i akuzuari tha se e kishte lënë në drejtim të Graçanicës, saktësisht në arat e Janjevës dhe më pas kishte vazhduar këmbë nëpër fshatin Shushicës dhe më pastaj e kishte telefonuar vëllain e tij Nexhatin i cili e kishte marrë në hyrje të Graçanicës dhe e kishte dërguar në shtëpi.

I akuzuari Jeton Vllasaliu tregoi se në zyrën e  Prokurorit, kishte biseduar me vëllain e tij Nexhatin se e kishte varrosur të ndjerin, por që saktësisht nuk po i kujtohet vendi.

Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati mbrojtës, Ndrec Dodaj  i akuzuari, Jeton Vllasaliu deklaroi se tani e tutje do të mbrohet në heshtje.  Vllasaliu iu shprehu ngushëllime edhe familjarëve të të ndjerit, të cilët ishin prezentë në gjykatore.

Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë së Nexhat Vllasaliu, i cili deklaroi se nuk e ka njohur asnjëherë të ndjerin, dhe as sot nuk e di të vërtetën për rastin.

Ai tha se ishte në shtëpi duke vendosur llamba ndriçuese në momentin kur e kishte telefonuar vëllai i tij, Jeton Vllasaliu për ta marrë në rrethinë të Graçanicës.

Nexhat Vllasaliu tha se për rastin e kuptoi nga avokati, të cilin e kishte angazhuar për ta mbrojtur, vëllain e tij, Jetonin ditën e nesërme pasi ishte njoftuar nga Policia se vëllai i tij është arrestuar.

Në gjykatore, i akuzuari foli edhe rreth një skice të cilën e kishte bërë Jeton Vllasaliu siç tha ai në Prokurori, si dhe tregoi edhe momente të komunikimit që kishin pas në ditën kur kishin shkuar në vendin ku dyshohej se ishte varrosur Bedri Rexhepi.

Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tregoi edhe momentin kur e kishte thirrur hoxha i Drenasit Osman Musliu të cilin e kishte angazhuar familja Rexhepi, dhe ishin takuar ku edhe kishte shprehur gatishmërinë për t’iu ndihmuar për zbardhjen e fatit të Bedri Rexhepit.

I akuzuari Nexhat Vllasaliu gjatë seancës iu përgjigj edhe pyetjeve të prokurorit të rastit, Armend Hamiti.

Prokurori, Hamiti pyeti të akuzuarin se pse asnjëherë nuk i kishte treguar Prokurorisë se e kishte marrë me veturë vëllain e tij, Jetonin në ditën kritike në Graçanicë.

Më pas, i akuzuari tha se nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje nga Prokuroria.

Seanca e sotme gjyqësore për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi pas pauzës vazhdoi me pyetjet e mbrojtësit të palës së dëmtuar, Besnik Berisha karshi të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu.

I pyetur nga avokati i palës së dëmtuar se a ka thënë të pavërteta për rastin, i akuzuari, Nexhat Vllasaliu deklaroi se atë që e ka ditur e ka thënë.

Avokati Berisha e ballafaqoi të akuzuarin Nexhat Vllasaliu me deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.

Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, Besnik Berisha nuk e përfundoi marrjen në pyetje të të akutuarit, Nexhat Vllasaliu pasi seanca u ndërpre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.

Seanca e radhës për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi u caktua të mbahet më 19 mars, me fillim nga ora 13:30.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025