Draft-statuti i Asociacionit, barrë për qeverinë e ardhshme
Lajme
Lexohet për: 2 min.
467686073_939135804449720_8183123783510187632_n
1 ditë më parë
Linku u kopjua

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i hartuar nga Bashkimi Evropian do të jetë një barrë për qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, thonë analistët politikë. Megjithatë, sipas tyre, ky dokument është i dëmshëm për Kosovën dhe si i tillë nuk duhet të marrë vulën e ekzekutivit.

Njohësi i Kushtetutës së Kosovës, profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se draft-statuti i Asociacionit sipas propozimit evropian dhe i mbështetur nga ShBA-ja, rrënon strukturën shtetërore të Kosovës.

Sipas tij, ky dokument, pavarësisht presionit ndërkombëtarë nuk duhet të dërgohet në Kushtetuese. Ai shton se kjo do të varet edhe kush vjen në pushtet, pasi konsideron se mund të ketë qeveri që bien pre e presionit ndërkombëtarë.

Mirëpo, analisti politik, Seb Bytyçi, thotë për KosovaPress, se qeveria e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mund të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese nëse ka ndonjë ofertë konkrete për Kosovën në procesin integrues në BE, anëtarësimin në Këshill të Evropës, si dhe partneritetin për paqe të NATO-s.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe në Ohër në vitin 2023.

Bashkimi Evropian me mbështetjen e ShBA-së, i ka dorëzuar Kosovës një draft-statut të Asociacionit, mirëpo me gjithë kërkesën e faktorit ndërkombëtar që ky draft për Asociacionin të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, si hap drejt themelimit të tij, Qeveria Kurti deri më tani nuk ka bërë ndonjë lëvizje./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025