Për reduktimet e energjisë elektrike të cilat janë duke u aplikuar që nga dita e hënë, të pakënaqur shprehen edhe qytetarët. Sipas tyre kjo nuk është e drejtë, derisa të mllefosur shprehen edhe për paralajmërimin e rritjes së tarifave. Ata thonë se shtrenjtimi i rrymës dhe reduktimet e saj ndikojnë në ekonomitë familjare.
Qytetari Shefki Kolgeci nga Theranda thotë se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm.
I pakënaqur përball kësaj situate është edhe qytetari Vesel Veseli, i cili thotë se qeveria duhet të marrë masa për ta zbutur këtë situatë.
“Këto shtrenjtimet e rrymës janë shumë të paprekshme për buxhetin e familjeve tona, por qeveria për me i zbut këto probleme duhet me marrë masa sociale duke ngritur pensionet, duke ngritur ndihmat sociale e benefitet tjera për qytetarët. Me këto buxhete familjare që i kanë shumica e familjeve tona është vështirë për t’i mbuluar këto shtrenjtimi të rrymës”, thotë ai
“Edhe reduktimet për mua janë të pa arsyeshme. Si arsyetohet për shembull në pikë të verës me e bë dimër, si arsyetohet në pikë të ditës me ma bë natë, d.m.th. duhet t’i respektojmë ligjet e natyrës e jo si të na teket, por duhet ta menaxhojmë me kohë prej resurseve e buxhetit të qeverisë. Është dashur me lidh kontrata me marrëveshje nëse ka nevojë me importua e jo qytetarët me i lanë pa rrymë, jo vetëm familjet që pësojnë, por po pëson edhe ekonomia jonë, të gjitha bizneset d.m.th. zhvillimi ekonomik i vendit pëson pa rrymë. Pa rrymë nuk ka ekzistencë në ditët e sotme e si d.m.th. me një element qenësor të jetës sonë me bë lojë”, thotë ai.
Edhe Faik Shaqiri shprehet i pakënaqur me reduktimet dhe paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës.
Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka thënë sot për KosovaPress se sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike.
“Aktualisht ka reduktime, ndërsa sot pasdite pritet përmirësimi i furnizimit me energji elektrike”, ka thënë ai.