Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë protestuar sot para Ministrisë së Drejtësisë, protestë e cila u thirr nga ana e tyre për padrejtësi pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ani pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Ata bënë thirrje që t’u lejohet e drejta e tyre që të japin provimin në gjuhën amtare.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi tha se si studentë të drejtësisë që nesër vet do të mbrojnë ligjin, po detyrohen të protestojnë duke kërkuar të drejtën për të përdorur gjuhën amtare.
Sipas tij një shtet që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe por drejtësie.Ndërsa, kryetari i parlamentit studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Tetovë, Besar Sejdiu tha se çdo zvarritje e këtij ligji është përpjekje për të mohuar një të drejtë që u takon.
“Kërkesa jonë është e thjeshtë, respektoni Kushtetutën dhe ligjin, as më shumë e as më pak. Kolegët tanë kanë të drejtë të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Çdo zvarritje është përpjekje për të mohuar një të drejtë që na është mohuar prej shumë vitesh. Gjuha shqipe zyrtare nuk negociohet”, tha Sejdiu.
Gjatë marshimit ata i janë drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë Igor Filkov që të dorëzojnë dorëheqjen.
Ky provim i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit juridik si avokat, gjyqtar apo prokuror, në praktikë zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase, edhe pse gjuha shqipe ka ligjërisht status zyrtar.
Ndryshe, ditët e fundit studentët shqiptarë në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar dhe Kërçovë kanë nisur aksion simbolik duke vendosur afishe në vende të ndryshme të qyteteve, përmes të cilave kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Në afishet e vendosura, mesazhi është i qartë: “Shqip kemi mësuar – provimin shqip do japim”, duke shprehur pakënaqësinë dhe kërkesën për respektimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare. /A. Shala/