Partia Demokratike e Kosovës nuk ka pranuar ende letër nga kryeministri Albin Kurti për çështjen e presidentit, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo tha se përderisa një veprim i tillë nuk ka ndodhur, ndoshta lideri i LVV-së ka adresa të tjera për zgjedhjen e presidentit.
“Parlamenti i Kosovës i ka 120 deputetë. PDK-ja i ka vetëm 22 deputetë. Shumica parlamentare, nëse është e interesuar të zgjedhë presidentin, nuk e ka opsion të vetëm PDK-në, por ka edhe opsione të tjera. Zgjedhja e presidentit është një moment i rëndësishëm për një demokraci parlamentare. Ne kemi deklaruar se kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitetin që i takon dhe kemi kërkuar nga Kurti që të formalizojë kërkesën karshi PDK-së në një letër të shkruar. Deri në këtë moment një letër e tillë nuk ka ardhur në PDK. Ndoshta ka adresa të tjera”, tha ajo.
Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, la të hapur mundësinë që ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin për Byronë, i cili konfiskon pasurinë e pajustifikueshme.“Për ne është shumë me rëndësi, përderisa synojmë që Kosova të bëhet anëtare e BE-së, Këshillit të Evropës dhe pjesëtare e denjë e familjes euro-atlantike, që ligjet që i miratojmë të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Komisionit të Venecias. Ne do të japim kontributin tonë që edhe ky ligj të reflektojë drejtësi, por edhe të jetë në përputhje me vlerat që posa i përmenda... Sigurisht, detyra jonë si deputetë është detyrim që të sigurohemi që çdo ligj që kalon në Kuvend është në përputhje me Kushtetutën”, tha ajo./KosovaPress/