Ndahet nga jeta Rexhep Qosja
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ndahet nga jeta Rexhep Qosja
Rexhep Qosja 1
Foto Arkiv
23/04/2026 - 12:38
Linku u kopjua

Ka ndërruar jetë sot në moshën 90-vjeçare akademik Rexhep Qosja.

Sipas njoftimit të familjes, ceremonia e varrimit është zhvilluar në praninë e rrethit të ngushtë familjar.

Me dëshirën e të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje, ndërsa familja ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Familja ka kërkuar që në këto momente të vështira të respektohet privatësia e tyre dhe t’u mundësohet të mbajnë zi në qetësi.

Kush ishte Rexhep Qosja?

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti, akademik.

Lindi në Vuthaj të Malit të Zi më 1936. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Vuthaj dhe në Guci.

Është autor i disa romaneve të njohura. Qe njëri ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970.

Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit.

Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re. Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpër­blimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Ka qenë një ndër intelektualët shqiptarë i cili ka ngritur zërin në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e shkëmbimit të territoreve.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026