Teksa Moska pretendon se Aleanca ushtarake perëndimore po militarizon Ballkanin Perëndimor me qëllim përballjen me Rusinë dhe se Perëndimi po minon sigurinë në Bosnjë e Hercegovinë, nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian vijnë mesazhe të kundërta, duke theksuar se prania ndërkombëtare në vend ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit, e jo krijimin e konflikteve.
Megjithatë, nga NATO thonë se po vërejnë trendë shqetësues në Ballkanin Perëndimor, para së gjithash kërcënimet secesioniste në Bosnjë e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, si dhe ngecjen në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pretendimet për militarizimin dhe destabilizimin e rajonit u paraqitën në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në mars, të mbajtur në Vjenë, ku përfaqësuesja ruse Iulia Zhdanova deklaroi se aktiviteti ushtarak dhe politik i NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të shkaktojë shqetësim të thellë.
Në kundërshtim me pretendimet e Rusisë, Bashkimi Evropian në një deklaratë të përbashkët pas takimit të OSBE-së theksoi se Marrëveshja për kontrollin subrajonal të armëve tashmë prej tre dekadash kontribuon në stabilitetin e rajonit, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë.
Pretendime të pabaza ruse
Zhdanoa për “destabilizimin e situatës” fajësoi po ashtu edhe përfaqësuesin e lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, të cilin Rusia e konsideron jolegjitim, pasi emërimi i tij nuk është konfirmuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që as nuk ka qenë e nevojshme.
“Jemi të bindur për domosdoshmërinë e mbylljes urgjente dhe pa kushte të institucionit të protektoratit të huaj në Bosnjë e Hercegovinë”, tha përfaqësuesja ruse, duke fajësuar Perëndimin edhe për ndërprerjen e financimit rus të PIC-it, si dhe për mospjesëmarrjen në punën e këtij institucioni.
Për Rusinë edhe forcimi i EUFOR-it është i pabazuar
“Paralajmërojmë se është e papranueshme përfshirja e forcave ndërkombëtare në proceset e brendshme politike. Konsiderojmë se rritja e numrit të forcave të BE-së është e pabazuar”, tha ajo gjatë fjalimit.
Në vitet e fundit, numri i pjesëtarëve të EUFOR-it është rritur, kryesisht si masë parandaluese pas rritjes së tensioneve në vend për shkak të miratimit të ligjeve jokushtetuese dhe secesioniste në entitetin e Republikës Sërpska, të cilat më pas u shfuqizuan, , shkruan REL.