Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në konferencën dyditore për mësuesit e gjuhës amtare “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” në Malmö të Suedisë.
Sipas njoftimit të MAShTI-të, kjo konferencë ka për qëllim që të mbajë gjallë frymën edukuese të mësuesve të gjuhës amtare dhe është organizuar nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri” në Suedi.
Pasi që theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare, ministrja Nagavci falënderoi mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë.
Ministrja përmendi faktin se Suedia e ka të rregulluar mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diapsorë brenda sistemit suedez të arsimit, por tha se ka hapësirë për punë edhe nga mësuesit, edhe nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbështetje.
Ne në Kosovë, por edhe në Shqipëri, tha Ministrja, po punojmë në hartimin e teksteve mësimore për nivelet tjera të mësimit shqip në diasporë dhe synim i përbashkët duhet të jetë institucionalizimi i mësimit shqip në vendet ku jetojnë. Ajo theksoi se janë miratuar dhe botuar libra për nxënësit e diasporës, por janë organizuar edhe shkolla verore, seminare, festivale për fëmijë të diasporës, organizime kulturore, e të tjera.
Ministrja Nagavci theksoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar për t’u dhënë më shumë rëndësi ideve dhe projekteve të mërgimtarëve, pasi që nevojat e diasporës kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit, shkollat në gjuhën shqipe dhe forcimi i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh është prioritet.
Në Suedi, aktualisht janë afër 10 mijë nxënës shqiptarë, nga të cilët 6 mijë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe, të integruar brenda sistemit suedez të arsimit.