“Eja merre djalin se e ka thyer këmbën apo dorën”. Kjo fjali i sillet në kokë një nëne e cila frikësohet se një ditë do të marrë një mesazh të tillë nga shkolla e djalit të saj.
Lajmet e fundit se të rinjtë po vetëlëndohen duke provuar sfida të cilat po dalin në rrjetin social Tiktok, e kanë shqetësuar edhe atë sikur shumë prindër të tjerë në Kosovë.
“Dëgjova një rast nga një mikeshë e imja, që vajza e saj ishte bërë pjesë e këtij trendi dhe ishte rrezuar në tokë, ku kishte mbetur rreth 2 minuta pa frymëmarrje, kjo është për tu frikësuar”, thotë një nënë e cila e ka djalin në klasën e njëmbëdhjetë.
Kohët e fundit, në Tiktok janë shpërndarë sfida të cilat paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e të rinjve. Një prej tyre është quajtur “SuperMan”, ku dy persona hedhin në ajër një person të tretë.Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Mimoza Krasniqi tregon se nuk është hera e parë që po ballafaqohen me shqetësime të tilla.
Edhe në të kaluarën, thotë ajo, kanë bashkëpunuar me Policinë e Kosovës dhe Qendrën për Punë Sociale për t’i parandaluar rastet e tilla.
Për rreziqet që vinë nga sfidat e Tiktokut ka reaguar ditë më parë edhe Policia e Kosovës duke kërkuar mbështetjen e prindërve dhe të komunitetit “për të ndërgjegjësuar fëmijët për rreziqet që mund të iu kanosen”.
Mundësia e mbylljes së Tiktokut është diskutuar edhe të mërkurën në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Aty, deputetët kanë përmendur rreziqet që po vinë nga kjo platformë si dhe nevojën për të kontrolluar përdorimin e saj.
Në vendin tonë, gjatë këtij viti, është raportuar për disa raste të vetëlëndimit të nxënësve të cilët ishin përfshirë në sfida të ndryshme në Tiktok.
Tiktoku është prej aplikacioneve më të popullarizuara për shpërndarjen e videove të shkurtra.
Ai përdoret nga të gjitha moshat, por më së shumti nga të rinjtë.