Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke vlerësuar lart kontributin e tij në kulturën, shkencën dhe mendimin kombëtar.
Sipas Kurtit, vepra e Qosjes do të jetojë shumë më gjatë se jeta e tij, ndërsa nga sot ajo nis një dimension të ri “jetën pa autorin”.
Komenti i plotë:
Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.
Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.
Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti - i paepur.