Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH)ka reaguar ndaj autorit Shkëlzen Gashi dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, duke i akuzuar për paraqitje të pasakta të të dhënave lidhur me krimet e luftës.
Në reagimin e saj, Fondi thekson se kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK).
Po ashtu thuhet se injëjti gabim është bërë edhe në rastin e Mejës. “Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen “persona të armatosur”, por viktima të krimeve të luftës”, thuhet nw reagimin e Fondit.
Sipas Fondit, organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun.Mw tej thuhet se: “Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë. Baza e të dhënave FDH dhe FDHK, e cila dokumenton më shumë se 8.500 viktima civile shqiptare të krimeve të luftës, është vlerësuar në një evaluim të pavarur të vitit 2015 si baza më e plotë dhe më e besueshme e këtij lloji. Evaluimi është kryer nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë Patrick Ball dhe profesorin britanik Michael Spagat”.
Sipas Fondit, “Duhet rikujtuar gjithashtu se të njëjtët autorë para dy vitesh kanë botuar librin “Masakrat në Kosovë”, i cili përmban shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë. I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave. Për këto arsye, konsiderojmë se ekspozita, në formën e saj aktuale, duhet të hiqet nga hapësira publike. Njëkohësisht, është e domosdoshme të ndërpritet paraqitja arbitrare dhe joprofesionale e krimeve dhe fatit të viktimave. Paraqitja e pasaktë e fakteve nuk kontribuon në kulturën e kujtesës, por e dëmton atë, relativizon krimet dhe cenon seriozisht dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre”.