Mungesa e fushës sportive në shkollën "Pavarësia" dhe problemet që i sjell
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Mungesa e fushës sportive në shkollën "Pavarësia" dhe problemet që i sjell
fusha-pavaresia-
10/06/2026 - 09:36
Linku u kopjua

Mungesa e një fushe të jashtme sportive në shkollën “Pavarësia” po vazhdon të paraqesë vështirësi për nxënësit dhe banorët e lagjes.

Ndonëse shkolla posedon një sallë sportive të brendshme, mungesa e hapësirës së jashtme ka bërë që aktivitetet sportive të zhvillohen në kushte jo të përshtatshme. Për këtë çështje kanë folur zëvendësdrejtoresha e shkollës, Fahrie Maxharraj, si dhe nxënësi dhe sportisti i shkollës, Ergys Pepaj.

Zëvendësdrejtoresha tregon se problemi kryesor është zhvillimi i edukatës fizike nga tri klasa njëkohësisht në sallën e brendshme dhe mungesa e hapësirës rekreative për të rinjtë e lagjes.

“Mungesa e fushës sportive është problemi i parë në shkollë, sepse një fushë sportive e kemi brenda, por ndodh që në ditë të caktuara tri klasa kanë orë të edukatës fizike në të njëjtën kohë. Tash e merr me mend se si mund të realizohet ajo orë me tri klasa. Kjo paraqet problem të madh. Pastaj mungesa e fushës jashtë shkollës paraqet problem edhe për të rinjtë e lagjes, sepse nuk kanë ku t’i zhvillojnë aktivitetet dhe rekreacionet e tyre.”

Ajo sqaron se kërkesat zyrtare janë përsëritur, por punimet kanë mbetur të pezulluara që tri vite dhe premtimet e muajve të fundit nuk janë realizuar.

“Personalisht kam bërë kërkesë në muajin janar. Punimet kan ndaluar tash e tri vite. Fusha është deri diku e rregulluar jashtë, por nuk është e asfaltuar dhe nuk i plotëson kushtet për t’u shfrytëzuar nga nxënësit. Muajve të fundit na është premtuar se do të fillojë punimi, por nuk është realizuar ky premtim.”

Maxharraj thekson se fusha e jashtme është e domosdoshme për socializimin e fëmijëve si dhe për zhvillimin e tyre fizik e intelektual.

“Kur e dimë që fusha sportive nuk është vetëm një vend për lojë, por është një vend ku fëmijët, si të shkollës ashtu edhe të lagjes, socializohen mes veti dhe bëhet zhvillimi i tyre edhe fizik edhe intelektual.”

Nxënësi Ergys Pepaj shpreh nevojën për këtë fushë afër shtëpive të tyre pasi salla mbingarkohet, duke shtuar se nxënësit nuk kanë marrë asnjë përgjigje se kur do të përfundojë ajo.

“Kur shkojmë në lëndën e edukatës fizike bëhemi shumë klasa dhe pastaj nuk ka shumë vend. Kemi fusha më larg, por posaqërisht na nevojitet kjo fushë pasi është afër shtëpive tona dhe kemi më lehtë që të takohemi dhe të luajmë. Ne nxënësit nuk kemi marrë ende përgjigje dhe nuk e dimë kur ka me përfundu

fusha sportive.”

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigjje nga drejtori i arsimit Arianit Elshani lidhur me vonesat në përfundimin e fushës, por ai nuk ka qenë i qasshëm dhe nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Pavarësisht kërkesave dhe premtimeve të bëra ndër vite, fusha ende nuk është funksionalizuar, duke lënë nxënësit të zhvillojnë aktivitetet sportive në kushte jo të përshtatshme. Ndërtimi dhe përfundimi i saj mbetet një nevojë e domosdoshme për shkollën dhe komunitetin.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026