Muja jep sqarime për pagesat direkte lidhur me subvencionet e vitit 2026
Biznes
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Muja jep sqarime për pagesat direkte lidhur me subvencionet e vitit 2026
Fermert
Foto Ilustruese
02/05/2026 - 17:57
Linku u kopjua

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ka dhënë një sqarim për pagesat direkte lidhur me subvencionet në bujqësi për vitin 2026. Fillimisht ai bëri të ditur se, javën e kaluar ka nënshkruar orientimet indikative të Programit të Pagesave Direkte 2026. Sipas tij, ky program kombinon pagesën bazë, pagesat e lidhura me prodhimin e kulturave prioritare, masat për stabilizimin e tregut, pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skema me qëllim rritjen e prodhimit vendor, forcimin e sigurisë ushqimore, zhvillimin rural të qëndrueshëm dhe rritjen e eksporteve agro-ushqimore.

Muja njoftoi se mbështetja standarde për grurin arrin në 304 €/ha, përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore.

“Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, fermerët përfitojnë pagesë shtesë prej 0.04 €/kg, bazuar në prodhimin dhe rendimentin e realizuar. Me një rendiment orientues prej 3,225 kg/ha, kjo përkthehet në rreth 129 €/ha mbështetje shtesë, duke e çuar mbështetjen totale potenciale deri në rreth 433 €/ha, pa përfshirë pagesën shtesë për hektarin e parë. Në kuadër të programit parashihet gjithashtu mbështetje specifike për prodhimin e farës së grurit, me qëllim forcimin e sigurisë ushqimore, rritjen e cilësisë së materialit mbjellës dhe zhvillimin e zinxhirit vendor të furnizimit me farë cilësore”, shkroi Muja.

Për misrin, mbështetja për misrin arrin në 329 €/ha, përmes pagesës bazë, mbështetjes për kultura strategjike, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore.

Fermerët për misrin mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme.

Për elbin, tërshërën dhe thekrën, mbështetja standarde arrin në 304 €/ha, ku fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme.

Për kultuat proteinike, vajore dhe industrial, përfshirë lulediellin, fasulen dhe pataten, mbështetja standard për të parën do të arrij deri në 454 €/ha, ndërsa për të dytën dhe të tretën do të arrij deri në 754 €/ha.

Mbështetja standard për perimet në fusha të hapura do të jetë 704 €/ha, për perimet në sera 1,054 €/ha. Derisa për pemëtarinë arrin deri në 654 €/ha, kultivuesit e mjedrës do të përfitojnë pagesë prej 0.20 €/kg për prodhimin e dorëzuar, vreshtat mbështeten me 1,104 €/ha, mbështetja për bimët mjekësore dhe aromatike arrin deri në 504 €/ha

Në këto subvencione pa mbështetje nuk mbet as sektori i blegtorisëm lopët qumështore do të mbështetën me 90 €/kokë, mëshqerrat për riprodhim do të mbështeten me 60 €/kokë, viçat do të mbështeten me 30 €/kokë, buallicat do të mbështeten me 180 €/kokë, delet dhe dhitë për mbarështim do të mbështeten me 30 €/kokë

Ndërsa pulat do të mbështeten me 0.50 €/kokë, brojlerët me 0.20 €/kokë dhe dosat për riprodhim do të mbështeten me 25 €/kokë.

E pagesat për cilësinë e qumështit do të realizohen sipas klasës së cilësisë.  0.07 €/litër do të jepën për Klasën Extra, 0.04 €/litër për Klasën I  dhe 0.02 €/litër për Klasën II.

Sipas ministrit, kjo skemë synon rritjen e cilësisë, formalizimit dhe standardeve të sigurisë ushqimore në sektorin e qumështit.

Kosheret do të mbështeten me 25 €/koshere, ndërsa bletaria organike me 30 €/koshere, duke mbështetur prodhimin vendor të mjaltit dhe biodiversitetin dhe rodhimi i peshkut do të mbështetet me 0.25 €/kg.

“Njësitë e pritura, normat orientuese dhe alokimet individuale të paraqitura në kuadër të këtyre orientimeve indikative përbëjnë bazën orientuese për grupet punuese përgjegjëse për hartimin, konsultimin dhe finalizimin e Programit Vjetor për Pagesa Direkte dhe akteve përkatëse nënligjore. Këto orientime janë ndërtuar mbi analizat sektoriale, prioritetet e politikave bujqësore, nevojat për siguri ushqimore, zhvillim rural dhe rritje të prodhimit vendor, si dhe mbi kapacitetet buxhetore të programuara për vitin 2026. Në këtë fazë, normat dhe alokimet kanë karakter indikativ dhe mund të rishikohen gjatë procesit të finalizimit të programit, në varësi të rezultateve të konsultimeve, numrit të aplikuesve të pritshëm dhe prioriteteve zhvillimore të sektorit agro-ushqimor”, përfundoi Muja.

Ndryshe, të enjten, Armend Muja mbajti konferencë për media lidhur me fondin prej 77.5 milionë euro për fermerët, por pas saj pati disa interpretime në rrjete sociale sa i përket mbështetjes së bujqve për pagesat direkte.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026