Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, gjatë një aktiviteti partiak
thumboi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se opozita është shndërruar në degë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Molliqaj tha se situata politike në vend pas procesit zgjedhor të 28 dhjetorit po e rrezikon seriozisht demokracinë në Kosovë, duke akuzuar partitë opozitare se po i shërbejnë koncentrimit të pushtetit nga Albin Kurti.
“Ku keni qenë deri tash? Pse na çuat vitin e kaluar dy herë në zgjedhje? Pse nuk u bëtë bashkë as PDK, as LDK, as AAK, as me Albinin, asnjëherë? Qysh është e mundshme që s’bën Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, që i takon edhe me Kushtetutë, por bën me ia zgjedh presidentin që e do Albini?”, tha Molliqaj.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te emrat, por te përqendrimi i pushtetit në duart e një subjekti të vetëm. Ai përmendi edhe presidenten Vjosa Osmani.
Kryetari i PSD-së pas PDK-së u ndal edhe të Lidhja Demokratike të Kosovës. Ritheksoi se Abdixhiku këtë parti e ka shndërruar në degë të Vetëvendosjes, duke shtuar se rruga e duhur në këtë situatë është që vendi të shkojë në zgjedhje e jo të votojë presidentin nga Vetëvendosje.
Molliqaj tha se praktikisht po duket sikur ekziston vetëm një parti. Shtoi se Kuvendi i Kosovës nuk është duke u shndërruar në Kuvend pluralist, por në Kuvendin e Vetëvendosjes.
“Mbas katër viteve mërrijmë në pikën ku kemi me folë për dëmet që shkaktohen, qoftë ajo Vjosa Osmani ose dikush tjetër. Prandaj besoj që është mirë qytetarët e Kosovës me e kuptu të vërtetën edhe të LDK-së, edhe të PDK-së. Kurrgjë më shumë sesa me ia kriju përshtypjen qytetarëve të Kosovës që ka demokraci. Nëse ia zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, edhe Kryeministrin, edhe Presidentin, edhe Gjykatën Kushtetuese, edhe Kryeprokurorin, çfarë demokracie ka? Edhe me mundësinë e tyre. Vendi duhet me shku në zgjedhje e jo me ia zgjedh presidentin. Populli i Kosovës nuk ia ka dhënë 58 deputetë Albin Kurtit për me zgjedh presidentin. Populli i Kosovës ia ka dhënë 51% me zgjedh Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. Le t’ia japë populli! Pse po ia jep ti në emër të popullit? Kurrkush nuk e ka votu LDK-në edhe PDK-në me votu presidentin e asaj”, tha Molliqaj.
