Misioni i parë me njerëz nga Toka për në Hënë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Misioni i parë me njerëz nga Toka për në Hënë
Foto Ilustruese
Më 16 korrik 1969, nisi misioni historik Apollo 11, i cili për herë të parë dërgoi astronautë nga Toka drejt Hënës, duke shënuar një nga arritjet më të mëdha në historinë e eksplorimit të hapësirës.
Apollo 11 u lëshua nga Qendra Hapësinore Kennedy në Kepin Kanaveral, në shtetin amerikan të Floridës, me raketën Saturn V. Në bord ndodheshin tre astronautët amerikanë: komandanti Neil Armstrong, piloti i modulit të komandës Michael Collins dhe piloti i modulit hënor Edwin "Buzz" Aldrin.
Katër ditë më vonë, më 20 korrik 1969, moduli hënor Eagle u ul në sipërfaqen e Hënës, ndërsa Neil Armstrong u bë njeriu i parë që hodhi këmbën në Hënë, duke shqiptuar fjalinë e famshme:
"Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin." Pak minuta më pas, atij iu bashkua edhe Buzz Aldrin, ndërsa Michael Collins mbeti në orbitën hënore në modulin e komandës.
Astronautët kaluan rreth 21 orë në sipërfaqen e Hënës, ku kryen eksperimente shkencore, vendosën instrumente matëse dhe mblodhën rreth 22 kilogramë mostra shkëmbinjsh dhe dheu hënor.
Programi Apollo ishte një nga projektet më ambicioze të shekullit XX. Në të u angazhuan rreth 400 mijë shkencëtarë, inxhinierë, teknikë dhe punonjës të industrisë amerikane, ndërsa kostoja totale e programit vlerësohet në rreth 25.8 miliardë dollarë të kohës, që në vlerën e sotme përllogaritet në mbi 250 miliardë dollarë.
Misioni Apollo 11 u përmbyll me sukses më 24 korrik 1969, kur ekuipazhi u kthye i sigurt në Tokë, duke u ulur në Oqeanin Paqësor. Suksesi i këtij misioni konsiderohet si kulmi i garës hapësinore mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik dhe mbetet një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e njerëzimit.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.