Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Për afro 3 orë para trupit gjykues dëshminë e tij e ka dhënë vëllai i politikanit të ndjerë serb, Miroslav Ivanoviq. Ai është shprehur se vrasja e vëllait të tij është bërë me motive politike. E dëshminë e tij ai do ta vazhdoj ta jep edhe gjatë ditës së nesërme.
Gjatë dëshmisë, Ivanoviq disa herë ka përmendur Milan Radojqiq si udhëheqës të grupeve kriminale në veri.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Miroslav Ivanoviq, i përlotur ka folur për raportet e mira që ka pasur me vëllain e tij tashmë të ndjerë. Ndërsa, detaje ka dhënë edhe për momentin kur e ka pranuar informacionin për vdekjen e Oliver Ivanoviqit.
“Si një familje patriarkale vëllai më i madh raportet kanë qenë shumë të mira ne të dy nuk jemi ndarë asnjëherë ai ka qenë vëllai i madh tipik dhe pas vdekjes se prindërve ai e ka marrë rolin e të menduarit për te gjithë në familje. Nuk na ka fol detajisht për armiqësitë e tij për arsye se ka dashur të na mbroj”, tha ai.
I pyetur përsëri nga prokurori i rastit, Burim Qerkini se a kishte treguar për ndonjë kërcënim apo presion tashmë i ndjeri, Oliver Ivanoviq, vëllai i tij tha se asnjëherë nuk ka shprehur se është kërcënuar.
Ai është shprehur i bindur se vrasje e vëllait të tij është bërë me motive politike.
“Është vështirë të vlerësohen këto çështje dhe të vihet në përfundim për këto, por është e sigurt që nuk ka pasur kurrfarë arsye përveç atyre politike”, u shpreh ai.
“Them se është vështirë të vlerësohet, por e sigurt është se me qëllimet e tij me ambiciet e tij politike ka qenë oponent politik i opozitës në të cilën mund t’i përcaktoj tri palë dhe mund të mendoj për to edhe Beogradin edhe Prishtinë, dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë konfliktet e tij janë me dozën më të madhe të agresivitetit kanë qenë të drejtuara Listës Serbe si organizatë politike dhe esenca e saj është qëllimi i primatit politik dhe konkretisht zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës”, tha vëllai i ish-politikanit serb.
Prokurori Burim Qerkini ka pyetur dëshmitarin se i ndjeri i ka përmendur ndonjëherë grupet kriminale.
“Në kontekst që bëhet fjalë për grupe kriminale me karakteristika grupe të njerëzve që nuk janë mitrovicas, të cilët janë markantë në pamje fizike dhe nga të cilët banorët e qyteti kanë pas frikë”, u shpreh vëllai i Oliver Ivanoviq.
Ai është pyetur edhe për shkrimet në mediat serbe se kush është vrasësi i vëllait të tij, por ai tha se përveç Zvonko Veselinoviq, personat tjerë të përmendur nuk i njeh.
Për vrasjen e Oliver Ivanoviq po gjykohen Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedelko Spasojeviq.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit në fund të vitit 2019, ndërsa seanca fillestare qe mbajtur në shkurt 2020. Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit pati konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin. Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë.