Miqësore e mundshme: Kosova përballë Polonisë këtë verë?
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Miqësore e mundshme: Kosova përballë Polonisë këtë verë?
Kombëtarja e Kosovës në futboll mund të përballet me Poloninë në një ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të datave të FIFA-s për miqësore ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të mediumit polak “Fakt”, Federata e Futbollit e Polonisë është në bisedime për organizimin e një miqësoreje kundër Kosovës, si pjesë e përgatitjeve verore të të dyja kombëtareve. Ndeshja ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por konsiderohet si një opsion serioz në agjendë.
Nëse finalizohet, kjo do të ishte përballja e parë historike mes Kosovës dhe Polonisë në futbollin ndërkombëtar. Sipas raportimeve, ndeshja mund të zhvillohet në Poloni, në qytete si Varshava, Gdansk ose Wroclaw.
Më tutje, media polake shkruan për lojtarët që e përbëjnë Kombëtaren e Kosovës duke i’u referuar si “Yje”.
“Yjet e ekipit përfshijnë mbrojtësin e Napolit, Amir Rrahmani, sulmuesin e krahut të Juventusit, Edon Zhegrova, dhe sulmuesin e Hoffenheimit, Fisnik Asllani. Skuadra eliminatore përfshinte dy lojtarë nga PKO BP Ekstraklasa: Dion Gallapeni i Wisla Plock dhe Ermal Krasniqi i Legia Varshavës” – shkruan media “Fakt”.
Të dyja ekipet nuk arritën kualifikimin në Botërorin 2026, ndaj miqësoret e qershorit po shihen si mundësi për rindërtim dhe testim të skuadrave.
KosovaPress