Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij, Andrii Sybiha teksa agresioni në shkallë të plotë i Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë.
Në postimin e tij në rrjetin social X, Hoxha shkruan se “ripërsërita dënimin e fortë të Shqipërisë ndaj shkeljeve të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë sulmet e përsëritura ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës”.
“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për përgjegjësinë, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe të ardhmen evropiane të Ukrainës.
Riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të thelluar më tej marrëdhëniet Shqipëri–Ukrainë përmes bashkëpunimit të ngushtë, duke avancuar rrugët tona respektive evropiane dhe duke kontribuar në paqe, stabilitet dhe siguri në të gjithë Evropën”, thekson ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha.“Dëshiroj të ripohoj se Ukraina vlerëson shumë marrëdhëniet miqësore dhe konstruktive me vendin tuaj të madh. Dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tuaj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time personale ndaj jush për mbështetjen tuaj të fortë dhe të vazhdueshme për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë anëtarësimit jo të përhershëm të Shqipërisë.
Hoxha thekson më tej se Rusia është agresori dhe Ukraina viktima. Ai i bën të ditur homologut ukrainas se Shqipëria nuk do ta ndryshojë këtë pozicion.
“Gjithashtu dua të theksoj se do të jem më shumë se i lumtur të pres takimin ministerial Ukrainë-Evropa Juglindore në Shqipëri, në Tiranë, në qershor. Dhe e pres me shumë padurim”, ka përfunduar bisedën e tij telefonike ministri Hoxha me kolegun ukrainas, Sybiha.