Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Interpoli ka çuar në arrestimin e rreth 5,800 personave dhe sekuestrimin e afro 300 milionë dollarëve asete të paligjshme, në kuadër të luftës kundër rrjeteve të mashtrimit online.
Operacioni “First Light 2026”, i zhvilluar nga janari deri në prill me pjesëmarrjen e autoriteteve policore nga 97 vende, synoi grupet kriminale që përdorin manipulimin psikologjik për të mashtruar viktimat dhe për të marrë para ose të dhëna konfidenciale.
Organizata ndërkombëtare e policisë kriminale theksoi se këto forma mashtrimi janë kthyer në një kërcënim të madh global për individët, kompanitë dhe institucionet publike.
Hetimet zbuluan gjithashtu raste të mashtrimeve ndaj kompanive ndërkombëtare dhe individëve. Në Singapor, një kompani tregtare u vu në shënjestër nga persona që u paraqitën si furnizues të rremë, ndërsa në Makao u arrestuan persona që hiqeshin si zyrtarë publikë dhe tentuan të përfitonin rreth 372 mijë dollarë nga një viktimë, shkruan TCh.
Interpoli paralajmëroi se rritja e mashtrimeve të bazuara në manipulimin psikologjik kërkon bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të ndaluar rrjetet kriminale që veprojnë përtej kufijve.