Ministria e Rinisë dhe Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) kanë formalizuar bashkëpunimin për vitin 2026 duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me vlerë rekorde prej 1 milion e 150 mijë euro. Ky financim historik synon të forcojë dhe fuqizojë aktivitetet sportive në vend, me një fokus të veçantë te përgatitjet për ngjarjet e mëdha ndërkombëtare që presin Kosovën.
Ministri i Rinisw dhe Sportit, Blerim Gashani, e cilësoi këtë marrëveshje si një përforcim të mbështetjes së vazhdueshme për sportin. Sipas tij, Komiteti Olimpik është një partner kyç dhe strategjik jo vetëm për avancimin e sportit, por edhe në përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri më të shëndetshme dhe aktive.
Nga ana tjetër, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, theksoi se ky memorandum është më shumë se një dokument financiar.
“Për mua ky memorandum nuk është vetëm një dokument financiar, por është një mbështetje shumë e fortë e shtetit dhe është një garancion institucional për Komitetin Olimpik të Kosovës, për lëvizjen olimpike dhe për të gjithë sportistët tanë. Përmes këtij memorandumi dhe këtij financimi që i bëhet Komitetit Olimpik të Kosovës, normal që ne do të vazhdojmë punën tonë me aktivitetet të cilat na prijnë përpara. Siç e përmendi edhe ministri, sivjet janë edhe Lojërat Mesdhetare në Taranto, ku Kosova do të përfaqësohet me një numër shumë të madh të sportistëve, sepse ne pas katër vjetëve ne do të jemi nikoqirë të këtyre lojërave”, theksoi Krasniqi.“Është një rekord memorandum për Komitetin Olimpik, është vlera më e lartë ndonjëherë që është financuar Komiteti nga Ministria e Sportit. Vlera është 1,150,000 euro. Pra jemi definitivisht shumë falënderues. Por kjo, siç e tha edhe presidenti, tregon një seriozitet institucional, tregon një partneritet të fuqishëm mes dy partnerëve, në këtë rast Ministrisë dhe Komitetit Olimpik, dhe gjithashtu tregon që sivjet është një vit tejet i rëndësishëm për sportin e Kosovës, jo vetëm për Komitetin Olimpik, meqenëse i kemi Lojërat Mesdhetare në Taranto 2026, ku ky trekëndësh, siç e përmendi ministri, do të jetë i përfaqësuar në Lojërat Mesdhetare, duke bartur flamurin nga Italia në Kosovë për të pritur Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë, pra si nikoqiri i ardhshëm”, bwri tw ditur Aliti
Një nga nismat më të rëndësishme që do të financohet përmes këtij memorandumi është themelimi i “Akademisë së Lojërave Mesdhetare”.