Mehani fyu Lushtakun i pari ... kanë mundur me u shty mes vete” Beqa flet për incidentin në Skenderaj
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 6 min.
Dëgjoje me zë...
Mehani fyu Lushtakun i pari ... kanë mundur me u shty mes vete” Beqa flet për incidentin në Skenderaj
Hajdar Beqa 0987
15/05/2026 - 17:03
Linku u kopjua

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka dhënë detaje nga incidenti i ndodhur në Skenderaj, lidhur me pretendimet se të enjten kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, e ka sulmuar zëvendësministrin e Financave nga radhët e Vetëvendosjes, Hysni Mehani.

Ai, në një intervistë për KosovaPress, pretendon se ishte Mehani ai që u pari e kishte fyer Lushtakun.

Mëpastaj, sipas tij, “kanë reaguar qytetarët aty” edhe “kanë mundur me u shtyrë mes vete”. Beqa thotë se partia e tij “nuk e përkrah dhunën”, ndërsa e lidhi incidentin në Skenderaj, me, siç tha, “gjuhën e urrejtjes” të instaluar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Në bazë të dëshmitarëve që kanë deklaruar atje, e ka fyer edhe kur aty ka hyrë, do të thotë kur ka hyrë zoti Lushtaku... Jo unë nuk kam detaje, por si kam dëgjuar, zoti Mehani ka fyer aty prapë kur ka hyrë Samiu, thotë ky është Sami Serbia, edhe normal kanë reaguar në bazë të deklarimeve, kanë reaguar qytetarët aty edhe kanë mundur me u shtyrë mes vete, me u rrëzu. Nuk është temë kjo e jona. Unë besoj që ka pasur kamera edhe organet përkatëse i shohin kamerat edhe e zbardhin rastin. Po e them me përgjegjësi të plotë. Pavarësisht kush është fajtori, në këtë rast nuk është një popull i tërë fajtor aty. Nuk mundemi të terrorizojmë një popull. Nuk mundemi t’i kthejmë skenat e Millosheviqit në Drenicë. Se ata janë policët e vëllezërve tanë, janë motrat tona”, thotë ai.

Ai ka kritikuar edhe praninë e njësive speciale të Policisë së Kosovës në Skenderaj, duke e cilësuar dërgimin e tyre në Drenicë si veprim të tepruar dhe të papërshtatshëm për situatën.

Sipas Beqës, angazhimi i forcave të këtilla duhet të mbetet në kuadër të procedurave hetimore dhe jo, siç tha ai, të përdoren për ndërhyrje politike.

“Ne duhet t’ia lëmë organeve përkatëse të merren me atë, jo politika t’i interferojë dhe të kërkojë, siç ishte rasti i kryeministrit në detyrë, zoti Kurti, që bëni thirrje që policia të shkojë në Skenderaj. Edhe ai shtetrrethim nuk është i hijshëm për Kosovën, nuk është i hijshëm për Drenicën sepse këta janë policia jonë. Absolut jo, absolut jo. Unë jam edhe jurist me profesion. Ka ndodhur një rast dje mes dy kryetarëve të partive. Ai kryetari i Vetëvendosjes e ka bërë një fyerje, ka bërë një linçim. Ne e dimë që e drejta e shprehjes është e mbrojtur me konventa ndërkombëtare, por i ka kufijtë. Deri ku nuk hyn te nxitja e urrejtjes, nxitja e luftërave civile e të tjera e të tjera, e përçarjes, atëherë aty mbaron, domethënë e drejta e shprehjes. Ai i ashtuquajturi i dëmtuar në këtë rast, sepse ai deklaroi që jam sulmuar, po të njëjtën kohë edhe kryetari i Partisë Demokratike, kryetari i komunës, do të thotë zoti Lushtaku, tha jam sulmuar nga zoti Mehani”, deklaron Beqa.

Ndonëse deklaroi disa herë se “dhuna nuk është zgjidhje”, Beqa nuk e dënoi drejtpërdrejt veprimin fizik ndaj Mehanit, duke insistuar se për këtë, duhet pritur versioni i organeve të drejtësisë.

“Ne fillimisht e dënojmë sjelljen, gjuhën e urrejtjes, edhe prurjen deri në këtë situatë. Kurse aty sa i përket, në këtë rast përdorimi ose rrahja e personave publik është e papranueshme, domethënë, po ne konsiderojmë edhe i besoj asaj çka ka thënë zoti Lushtaku, që zoti Lushtaku është sulmuar. Edhe u sulmua përmes rrjeteve sociale, po edhe aty për aty, do të thotë, është fyer... Zoti Lushtaku, jam i bindur që në momentin që i shkon ftesa nga Prokuroria e Kosovës, dhe jam i bindur që sot, ndoshta në këto momente kur po flasim ne, nëse i shkon ftesa, po absolut i përgjigjet pozitivisht zoti Lushtaku. Asnjëherë nuk i ka ikur drejtësisë. Vetëm një gjë që nuk iu është përgjigjur, vetëm një drejtësie që është i ashtuquajtur drejtësi, ka mundur t’i ikë Sami Lushtaku dhe njerëzit si Sami Lushtaku, drejtësisë në atë kohë operative, në këtë rast të Serbisë, aparatit të dhunës, por jo drejtësisë tonë. Edhe Sami, edhe secili zyrtar i Partisë Demokratike i përgjigjet ftesave të Prokurorisë. Por përgjegjësia është individuale, nuk është përgjegjësi kolektive. Edhe me Kod Penal, edhe me Kod të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, përgjegjësia është individuale. Edhe sa ka të drejtë me thënë, në këtë rast, ai Mehani është, zoti Mehani është sulmuar, aq ka të drejtë me thënë Sami. Nuk jemi ne ata që e vërtetojmë cili ka pasur të drejtë”, shton Beqa.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së ka rikujtuar edhe një përplasje të mëhershme të tij, në Kuvendin e Kosovës, me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e lidhur atë me debatin aktual politik rreth dhunës dhe përgjegjësisë së zyrtarëve publikë.

Beqa tha se për atë rast nuk i ka ikur përgjegjësisë dhe se çështja është trajtuar në institucione, duke shtuar se nuk e konsideron veten fajtor.

Ai shtoi se edhe nëse do të përsëritej një situatë e ngjashme, do të vepronte njësoj, duke e justifikuar reagimin e tij të mëhershëm me sjelljet e mëparshme politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Edhe atëherë, unë nuk i iki fajësisë. E kam thënë edhe te organet kompetente, nëse unë jam fajtor, por është interesant, unë nuk kam qenë fajtor, nuk jam fajtor. Prapë në situata të tilla do të veproja njëjtë, me arsyen e vetme se Vetëvendosja kur ishte opozitë, e sulmonte qeverinë, parlamentin, me gaz lotsjellës, me molotovë, deri në zola. E sulmonte kryeministrin e asaj kohe. Kur dol në opozitë, kur dol në pozitë, e sulmonte prej atje ministri opozitën. Nuk kemi pasur asnjë rast në Republikë... Ajo ka qenë punë e organit, në këtë rast kanë qenë avokatët tanë dhe çështja është zgjidhur me ndërmjetësim. ...Zotin Murati nuk kam pasur rastin të komunikoj as para atij ngjarjeje, as pas ngjarjes, sepse nuk kam pasur ndonjë interes me komuniku me një njeri apo me një zyrtar të shtetit i cili i ka quajtur dëshmorët e vendit, heronjtë e vendit, martirët e vendit i ka quajtur mercenarë”, përfundon ai./E.Zeqiri/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026