Më shumë se gjysma e votuesve amerikanë kundër sulmeve ndaj Iranit
4-Fourth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Më shumë se gjysma e votuesve amerikanë kundër sulmeve ndaj Iranit
APTOPIX Syria Clashes
06/03/2026 - 16:52
Linku u kopjua

Shumica e votuesve të regjistruar në SHBA nuk e miratojnë mënyrën se si presidenti Donald Trump e ka menaxhuar situatën që lidhet me Iranin. Ata, po ashtu, besojnë se Shtetet e Bashkuara nuk duhej të kryenin sulme ushtarake ndaj këtij vendi, sipas një sondazhi të ri të NBC News, transmeton AA, përcjellë KosovaPress.

Sondazhi zbuloi se 54 për qind e votuesve nuk e miratojnë mënyrën si Trump po e trajton çështjen e Iranit, ndërsa 41 për qind e miratojnë. Pjesa tjetër prej 5 për qind thanë se janë të pasigurt ose nuk kanë një opinion.

Po ashtu, 52 për qind e të anketuarve thanë se Shtetet e Bashkuara nuk duhej të ndërmerrnin veprim ushtarak kundër Iranit, krahasuar me 41 për qind që mbështesin vendimin. Shtatë për qind thanë se mbeten të pasigurt.

Ndërsa opinionet në përgjithësi ndahen sipas linjave partiake (republikanë dhe demokratë) sondazhi zbuloi edhe një përqindje të vogël, por të dukshme, të votuesve republikanë që janë të pakënaqur me vendimin për të nisur veprime ushtarake në Lindjen e Mesme.

Sondazhi tregoi gjithashtu një ndarje të qartë mes gjeneratave, ku votuesit më të rinj dhe ata më të moshuar reagojnë ndryshe në fazat e hershme të konfliktit.

Rezultatet ofrojnë një pasqyrë të hershme se si amerikanët po reagojnë ndaj një operacioni të madh ushtarak të nisur nga një president që gjatë fushatës së tij në vitin 2024 për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë ishte kundër konflikteve të gjata jashtë vendit.

Sondazhet e mëhershme të NBC News tregojnë se opinioni publik fillimisht kishte mbështetur ndërhyrjet e mëparshme ushtarake të SHBA-së.

Sondazhet e kryera mes fillimit të vitit 2002 dhe fillimit të 2003 treguan se shumica e amerikanëve mbështesnin veprimet ushtarake për të rrëzuar nga pushteti Saddam Husseinin në Irak.

Po ashtu, në tetor 2001, gjatë fazës së hershme të sulmeve amerikane në Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit, 87 për qind e amerikanëve mbështetën mënyrën se si presidenti George W. Bush po e menaxhonte luftën kundër terrorizmit, dhe një përqindje e ngjashme miratoi fushatën ajrore kundër Talibanëve.

Megjithatë, në të dy rastet, opinioni publik më vonë ndryshoi, dhe shumica e amerikanëve përfundimisht arritën në përfundimin se për ato luftëra “nuk ia vlejti barra qiranë”.

Mbështetja për sulmet ndaj Iranit është dukshëm më e lartë mes republikanëve.

Rreth 77 për qind  e votuesve që janë pro kësaj partie thonë se Shtetet e Bashkuara kishin të drejtë të godisnin Iranin, ndërsa 15 për qind nuk pajtohen.

Sondazhi tregoi gjithashtu ndarje brenda partisë. Mes republikanëve që identifikohen me lëvizjen “Make America Great Again” (MAGA) të Trumpit, 90 për qind mbështesin sulmet, ndërsa 5 për din i kundërshtojnë.

Ndërsa mes republikanëve që nuk e konsiderojnë veten pjesë të lëvizjes MAGA, 54 për qind mbështesin veprimin, ndërsa 36 për qind e kundërshtojnë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026