Kryeministri në detyrë, Albin Kurti po i mban qytetarët nën kontroll përmes frikës dhe joshjes, thotë kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami.
Sipas tij, lideri i LVV-së po e përdor buxhetin e shtetit për t’i joshur financiarisht qytetarët në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas tij, dështimet në qeverisjen e partisë Vetevendosje dhe mungesa e projekteve kapitale po mbulohen me një strategji të mirëmenduar, e cila, sipas tij, bazohet në dy shtylla kryesore: frikën dhe joshjen financiare.
Behrami thekson se PDK përfaqëson alternativën e vetme për ta nxjerrë vendin nga ky kaos i vazhdueshëm, duke ofruar një vizion të ri ekonomik dhe zhvillimor me Bedri Hamzën, që sipas tij, zëvendëson politikën e frikës dhe krizave, me atë të stabilitetit dhe zhvillimit.
“Motivi kryesor i partisë është i etabluar edhe në sloganin tonë: ‘Kosova është lodhur nga krizat’. Është lodhur nga krizat, nga kaosi i njëpasnjëshëm. Dhe atë çfarë kemi parë këto gjashtë vjet, e sidomos këto dy vjet, është një njeri i cili ka investuar në mënyrë permanente në krijimin e krizave, sepse kriza është habitati ku ai krijon një platformë për të mos qeverisur. Ai nuk di të qeverisë. Albin Kurti dihet se u bë kryeministër, por çfarë pune ka marrë? Kurrë punë s’ka punuar. Kurrë rrogë, as në shtet, as në sektorin privat nuk ka marrë... Ai nuk ka krijuar kulturë pune as në institucione, as jashtë institucioneve, dhe rrjedhimisht nuk di të qeverisë. Ju e keni parë. I ka pasur 20 miliardë buxhet, asnjë projekt nuk mund të dalë Lëvizja Vetëvendosje të thotë: cilat janë tre projektet më të mëdha që i kanë bërë në Kosovë? Nuk dinë t’i numërojnë”, deklaron ai.
Në anën tjetër, Behrami i doli në mbrojtje kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, lidhur me incidentin e fundit me kryetarin e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Hysni Mehani.
Madje, ai akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po kërkon viktima në këto zgjedhje.
“Çka ka ndodhur në Skenderaj, ka ndodhur një inskenim nga dhomat e errëta të VV-së, ku ky skenar është institucionalizuar. Është bërë skenar shtetëror përmes Sveçlës dhe Albin Kurtit. Të shkosh dhe ta provokosh një njeri që është bashkëluftëtar i Adem Jasharit, i cili në Spiegel në vitin 1998 thotë se është në gjendje krejt familjen me e fliju për pavarësinë e Kosovës, që ishte plagosur në luftë. Shkojnë dhe i thonë ‘Sami Serbia’. Dhe cila ka qenë tendenca? Kur e ka parë Albin Kurti zotin Mehani, Albini ka qenë njeriu më i dëshpëruar në Kosovë. Ai ka shpresuar që ai do të vritej ose do të plagosej...Albin Kurti në këto zgjedhje po kërkon viktimë. Po kërkon gjak. Ai pa viktimë e pa gjak nuk mundet me e bërë fushatën...Sami Lushtaku nuk është individ. Kur i thua ti ‘Sami Serbia’, i thua krejt Drenicës se jeni me Serbinë. I thua Adem Jasharit, i thua Lladrovcit, i thua tërë atyre që jeni me Serbinë. Sepse ai përfaqëson një popull atje, përfaqëson një epokë dhe një periudhë”, përfundon ai. /KosovaPress/