Bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
“Po të isha Sllobodan Millosheviqi, etnikisht do ta kisha pastruar Kosovën në vitin 1998!”, deklaroi publikisht në intervistë ministresha e Aleksandar Vuçiqit dhe kaloi pa u shkarkuar, pa dënim publik, pa kërkim falje, pa asnjë shprehje të pendesës apo keqardhjes nga ana e shefit të saj. Kur një zyrtar qeveritar, në shekullin XXI, publikisht shpreh glorifikim për bëmat e kasapit të Ballkanit dhe për më keq, publikisht shpreh keqardhjen e saj që e paska lënë punën të pakryer, pra, nuk e paska pastruar Kosovën nga shqiptarët, dhe për një deklaratë të tillë skandaloze, shoviniste, raciste kalon pa ndëshkim, atëherë nuk na ngelet tjetër përpos të parashtrojmë pyetjen: çfarë në të vërtetë paska ndryshuar në mendësinë nacional-shoviniste serbe që vazhdon të thur ëndrrën për Serbinë e madhe?!”, tha Mexhiti.
“Këto janë fytyrat e vërteta të Open Balkan-it, iniciativës të cilën tentuan të na e shesin si perspektivën më të mirë për aspiratat euro-integruese të vendeve të rajonit por e cila, tashmë nuk ka asnjë dilemë, qartazi paska qenë vetëm kornizë për rehabilitimin historik, politik e ideologjik të Serbisë për krimet makabre të kryera gjatë luftërave të përgjakshme në ish- Jugosllavi.
“Kjo është Kosova që na bën të gjithëve krenarë dhe për të cilën breza të tërë sakrifikuan e derdhën gjak.
Kumbarat e Open Balkanit dhe avokatët e Aleksandar Vuçiqit le të vazhdojnë të heshtin. Në heshtje e aprovojnë deklaratën skandaloze të ministreshës serbe”, shkroi Mexhiti.