Në Klinikën e Dermatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), mungon hapësira e mjaftueshme për të ofruar trajtimet e nevojshme për pacientë. Përveç kësaj, ka vështirësi të vazhdueshme në sigurimin e azotit të lëngshëm dhe mungesën e Patch testeve. Po ashtu, vihet në theks edhe nevoja për rritjen e numrit të infermierëve. Ndërkaq, në këtë klinikë, deri në shtator të këtij viti, janë kryer mbi 16 mijë vizita amulantore specialistike.
Kështu bën të ditur në një intervistë për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Dermatologjisë, Enver Krasniqi, i cili potencon se për shkak të mungesës së hapësirës, brenda një dhome janë të vendosur deri në katër shtretër, për çka thotë se po humbet privatësia e pacientëve.
Drejtori i klinikës për sëmundjet e lëkurës, Enver Krasniqi thekson se këtë vit është shënuar rritje e numrit të vizitave specialistike për mbi 24 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
Në intervistën për KosovaPress, Krasniqi thekson se Klinika e Dermatologjisë ka mungesë të infermierëve, derisa shton se ka nevojë të bëhen ndryshime edhe në sistemin e brendshëm elektronik të shërbimeve ambulantore, për shkak që ende punohet në formën klasike, me dorë.
Ndryshe, shërbimi i Dermatologjisë si repart daton që nga viti 1959 në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë, ndërkaq spitali për sëmundje mykotike ka funksionuar prej vitit 1950 deri në vitin 1958 në Pejë. Në vitin 1972, u hap Klinika e Dermatologjisë në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, e cila funksionoi si organizatë e punës së bashkuar deri në vitin 1977.
Ndërsa, nga qershori i vitit 1999, Klinika e Dermatologjisë, veprimtarinë e saj e ushtron në kuadër të QKUK-së. Kjo klinikë që nga viti 2003, funksionon në gjysmën e hapësirës së dedikuar për këtë klinikë, ngase sipas një vendimi i është marrë gjysma e hapësirës për periudhën e përkohshme 2 vjeçare dhe i është dhënë Klinikës së Pulomologjisë. /Z.Zeneli/