Asociacioni “Albanians For America” ka vlerësuar se procedimi nga Departamenti amerikan i Shtetit në Kongresin e këtij shtetit të lejes për eksportimin e artikujve të mbrojtjes dhe shërbimeve ushtarake për Kosovën në vlerë prej mbi 14 milionë dollarësh, përbën një mesazh të qartë besimi të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj të sigurisë.
Në reagimin e këtij asociacioni lobues të shqiptarëve në SHBA, thuhet se dërgimi i çështjes për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dëshmon seriozitet institucional dhe mbështetjen bipartizane që shteti më i ri në Evropë gëzon në Washington.
Sipas reagimit, angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare dhe përgatitjet për pjesëmarrje në forcën stabilizuese në Gazë dëshmojnë rolin gjithnjë e më aktiv të Kosovës përkrah aleatëve ndërkombëtarë.
Ky asociacion shprehu mirënjohje ndaj Departamentit amerikan të Shtetit, Kongresit të SHBA-së, Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe institucioneve të tjera amerikane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në forcimin e sigurisë, sovranitetit dhe rrugëtimit euro-atlantik.“Albanians For America” e portretizon veten si “një përpjekje kombëtare e udhëhequr nga shqiptaro-amerikanët për të ndërtuar konsensus bipartiak në Kongres, me qëllim mbrojtjen e lirive të të gjithë shqiptarëve në Ballkan”.