Siguria e gazetarëve në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë dhe gazetarët ende janë cak i sulmeve nga politika e Qeveria. Kështu u tha në prezantimin e gjetjeve kryesore mbi Lirinë e Medias, Sigurinë e Gazetarëve dhe Gjuhën e Urrejtjes në Kosovë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Po ashtu u bë e ditur se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026 janë raportuar nëntë sulme fizike dhe jo fizike nga gazetarët në Kosovë.
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se sulmet ndaj gazetarëve po ndodhin më së shumti në hapësirën online.
Ndërsa, Jerome Bouyjou, udhëheqës i komponentit të të Drejtave të Njeriut në UNMIK tha se trendet tregojnë se mund të jemi duke lëvizur drejt një mjedisi më pak të favorshëm për gazetarinë e pavarur., raporton KosovaPress.
Ndërsa, profesori Jeton Mehmeti ka prezantuar gjetjet lidhur me këtë çështje, duke theksuar se gjetja kryesore është se diskursi i dëmshëm në Kosovë dominohet nga polarizimi politik."Gjetjet kryesore të këtij raporti—gjetja më e madhe dhe më kryesore është se diskursi i dëmshëm në Kosovë dominohet nga polarizimi politik. Nga këto 148 raste që kemi identifikuar, mbi 40% e tyre kanë të bëjnë me diskurs politik e ideologjik, me kuptimin që aktorët e ndryshëm politikë përdorin shprehje të cilat denigrojnë njëri-tjetrin dhe përdorin shprehje të tilla, sikurse që i kemi identifikuar si shprehje "tradhtar", "agjent i huaj", "armik", e kështu me radhë. Pra, fjalë të cilat, në vend se të diskutojnë mbi politika publike, kanë për qëllim që të demonizojnë dhe të delegjitimojnë personin tjetër dhe të mos flitet për politika publike. Gjetja tjetër të cilën nxjerr raporti, kemi të bëjmë me një gjuhë të intensifikuar të sulmeve ndaj gazetarëve. Dhe kjo mbase është gjetja më e rëndësishme në kuptimin e impaktit që mund të ketë për institucionin e gazetarisë. Atje kemi hasur në shprehje, në diskutime, në debate, të cilat u referohen gazetarëve me terma të ndryshëm si "mercenarë", "të paguar", "të sponsorizuar", "marrin çanta me para", e kështu me radhë. Shprehje këto të cilat, gjatë këtij muaji që kemi... ", tha Mehmeti.
E Burbuqe Kastrati nga Lëvizja "Fol" u shpreh se nga raporti shihet se siguria e gazetarëve vazhdon të mbetet e brishtë, derisa theksoi se në periudhën janar-maj 2026 janë raportuar në polici 9 raste të sulmeve fizike dhe jo fizike ndaj gazetarëve.