Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Izraelit, duke ndarë mendimet e tij për gjendjen e skuadrës, kundërshtarin dhe filozofinë e lojës që synon të ndërtojë te kuqezinjtë.
I pyetur për formacionin dhe mënyrën se si do të luajë Shqipëria, Maran theksoi se prioritet mbetet funksionimi i skuadrës dhe gjendja fizike e futbollistëve.
“Është e rëndësishme të theksoj se kam pasur një disponibilitet të madh ndaj lojtarëve. Sigurisht që nuk është e lehtë të luash ndeshje të tilla duke qenë se lojtarët vijnë nga një fund sezoni i cili ka qenë i vështirë, stresues dhe shumë i gjatë, por janë treguar profesionistë të vërtetë duke u treguar disponibël në këtë rast. Sigurisht që kam shumë gjëra në mendje, por ajo çfarë është më e rëndësishme është që të ketë një skuadër funksionale dhe në aspektin fizik të jenë lojtarët me më shumë cilësi dhe ndoshta që kanë luajtur më shumë minuta, sepse varet edhe nga performancat e tyre me ekipin. Sigurisht janë dy ndeshje që do të masin forcën dhe do të duhet të llogarisim lojtarët për të dyja ndeshjet në këtë rast.”
Më pas, tekniku italian vlerësoi Izraelin si një kundërshtar të vështirë dhe një test të rëndësishëm për skuadrën e tij.“Të luash kundër Izraelit nuk është e lehtë, sepse është një skuadër e cila i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe në një farë mënyre të bën shumë të vraposh pa top. Sigurisht që duhet ne të japim shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta, por mendoj që kjo ndeshje të jetë një test shumë i mirë, stimulus edhe për ne dhe për lojtarët.”
Një nga temat kryesore të konferencës ishte edhe koha e shkurtër që Maran ka pasur në dispozicion për të punuar me ekipin para debutimit të tij.
Në fund, trajneri italian foli edhe për filozofinë e tij të futbollit, duke theksuar se dëshiron një skuadër që luan me personalitet dhe kërkon gjithmonë fitoren.
“Ne duhet të krijojmë ADN të bazuara në karakteristikat e lojtarëve tanë dhe të jemi ne si Shqipëri. Unë besoj se nëse një trajner që e konsideron një ide të tijën absolute, nuk mund të evulojë. Unë i vë në diskutim idetë e mia përherë dhe kjo është mënyra se si një trajner rritet dhe evulon. Futbolli ka ndryshuar, por edhe lojtarët kanë ndryshuar vitet e fundit dhe ajo çfarë mua më pëlqen është skuadra që del në fushë duke u bazuar në karakteristikat e lojtarëve. Më pëlqen të kem një skuadër agresive që e mban vetë topin dhe që hyn në fushë për ta fituar ndeshjen.”
Ndeshja ndaj Izraelit do të jetë prova e parë për Maranin në stolin e Shqipërisë, ndërsa trajneri italian shpreson që idetë e tij të fillojnë të shihen menjëherë në fushë përmes paraqitjes së lojtarëve kuqezi.