Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se vendi është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare.
Maqedonci thotë se i gjithë zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhet në përputhje me standardet e NATO-s. Ai shprehet optimist se Kosova është afër anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake.
Teksa flet për 24 shtatorin, ai thekson se sulmi në Banjskë të Zveçanit ka qenë i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë. Sipas tij, qëllimi ka qenë për shkëputjen e asaj pjese të territorit të Kosovës. Ai vlerëson se ende ka rrezik e kërcënim për përsëritje të këtij rasti.Futja e armatimit nga terroristët serbë në Kosovë, Maqedonci thotë se është bërë në dy vjetët e fundit. Sipas tij, KFOR e ka të pamundur që të kontrollojë gjithë hapësirën kufitare me Serbinë.
Pavarësisht aktit të agresionit, ku rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, Bashkimi Evropian nuk ka sanksionuar Serbinë. Maqedonci konsideron se vendet e bllokut po hezitojnë të veprojnë.
Ministri Maqedonci flet edhe për furnizimin me kapacitete ajrore, ku tregon se kur Kosova do të ketë helikopter.
Ai deklaron se prioritet mbetet ndërtimi i kapaciteteve për mbrojtjen e vendit dhe kapaciteteve ushtarake për mbështetje të autoriteteve civile.
Në intervistën për KosovaPress, Maqedonci flet edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe aktivitetet e përbashkëta.
Ministri i Mbrojtjes deklaron se gjatë vitit 2023 nuk ka pasur largime apo dorëzim të uniformës, në dy rastet që përmend thotë se janë për shkaqe personale e të cilët kanë dorëzuar arsyetim.