Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për katër muajt e parë të këtij viti, kanë kërkuar mbështetje financiare për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore mbi 70 pacientë që kanë pasur nevojë për trajtim me urgjencë. E për këto raste të cilat kryesisht kanë marrë trajtim në spitalet turke, janë shpenzuar 2 milionë euro nga buxheti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri u shpreh për KosovaPress, se diagnozat të cilat nuk janë pjesë e udhëzimit administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, nuk po aprovohen nga Fondi.
Sipas u.d. të drejtorit të Fondit, deri më tani prej gjithsej 9 milionë eurove, sa kanë në dispozicion, janë shpenzuar vetëm për rastet urgjente 2 milionë euro.
Edhe këtë vit personat që vuajnë nga sëmundjet malinje, vazhdojnë të jenë ata të cilët kërkojnë më së shumti ndihmë financiare nga shteti, pasi trajtimi në institucionet publike vendore nuk është i mundur.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri tha se udhëzimi i ri administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së shpejti do të finalizohet.
Ai theksoi se ky udhëzim parasheh diagnoza të reja për të cilat pacientët mund të marrin mbështetje financiare për shërbim shëndetësor jashtë institucioneve publike.