Maqedonci: Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë
Intervista
Lexohet për: 4 min.
maqedonci-030125
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Tash kur pritet të hyjë në fazën e tretë, dhe të fundit, të procesit të tranzicionit, Forca e Sigurisë së Kosovës synon që të bëhet me pajisje ajrore. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se janë duke “gjeneruar opsione për furnizimin me helikopterë” dhe sipas tij në ditët në vijim do të kenë “një informacion të qartë se ku është orientimi për helikpoterët”. Në një intervistë për KosovaPress, Maqedonci flet edhe për situatën e sigurisë dhe rrezikun nga grupet terroriste serbe.

Procesi i transformimit të Forcës, i cili ka hyrë në vitin e shtatë, po zhvillohet sipas planfikimieve, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi një informacion më të qartë se ku është orientimi ynë për helikopterët dhe qytetarët normalisht do të jenë të informuar për orientimin tonë dhe për qasjen tonë në raport me helikoptetët dhe gjithmonë synimi ynë është që para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit, para vitit 2028, të paktën të kemi një pjesë të këtyre aseteve në FSK”, shprehet ai.

Gjatë këtij procesi, Kosova ka blerë dronë e automjete të ndryshme ushtarake. Shteti është fokusuar në investime për sisteme moderne të armatimit, në mesin e tyre edhe blerjen e anti-tankeve “Javelin”.

Me përfundimin e transformimit, FSK-ja pritet të ketë përgjegjësi ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci thotë se Serbia po vazhdon të paraqes kërcënim me vendosjen e 48 bazave të ushtrisë serbe përgjatë vijës kufitare me Kosovën.

Në Rashkë, Nish dhe Vranjë, thotë ai, janë vendosur baza të tjera të cilat nuk janë larg nga territori i Kosovës. Ai konsideron se rreziku për sulme është i mundshëm, marrë parasysh se ende nuk janë ndëshkuar terroristët e sulmit në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit.

Terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023 dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku, në Banjskë të Zveçanit. Një vit më vonë, mbrëmjen e 29 nëntorit, nga një shpërthim i madh u dëmtua kanali i ujit i Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Autoritetet e Kosovës thanë se sulmi ishte terrorist dhe i kryer nga bandat kriminale të mbështetura prej Beogradit zyrtar.

Në intervistën për KosovaPress, Maqedonci deklaron se institucionet e sigurisë janë të afta dhe të përgatitura për t’u përballur me çdo kërcënim që tenton të cenojë sovranitetin e vendit.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi për sulme të mundshme para dhe pas Vitit të Ri.

Ushtria serbe vazhdon të jetë e pozicionuar përgjatë vijës kufitare me Kosovën, thotë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO ishte theksuar si çështje e rëndësishme nga autoritetet e Kosovës, sidomos pas sulmeve terroriste në veri.

Kjo çështje është një nga objektivat kryesore të institucioneve vendore, thotë Maqedonci, i cili shton se Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërtohet sipas standardeve të NATO-s.

Në fund të vitit të kaluar, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin turk të industrisë së mbrojtjes për themelimin e fabrikës së municioneve në Kosovë.

Ministri Ejup Maqedonci thotë se në këtë mënyrë Kosova do të pavarësohet në aspektin e municioneve.

Kjo fabrikë do t’i ketë makineritë sipas standardeve të NATO-s dhe siç tregon Maqedonci, do të menaxhohet nga një ndërmarrje publike.

Kontrata përfshin edhe trajnimin e stafit nga Republika e Turqisë.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar konceptin për mbrojtje gjithëpërfshirëse Ky koncept synon të integrojë edhe qytetarët në sistemin e mbrojtjes së vendit.

Ministri i Mbrojtjes thotë se gjatë këtij viti prioritet do të jetë implementimi i këtij koncepti.

Qeveria, pjesë e së cilës është Maqedonci, e përfundon mandatin këtë fillimvit, pasi që zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 9 shkurt.

Gjatë vitit të kaluar është validuar edhe regjimenti i dytë i këmbësorisë, që sipas Maqedoncit, ka shënuar arritje për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

Kosova gjatë këtij viti do të jenë vend pritës i ushtrimit “Defender Europe 2025”, ku do të ketë njësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve të tjera partnere.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025