Klubi i Futbollit FC Besa Peja ka reaguar publikisht pas ndeshjes së zhvilluar në Ferizaj, duke shprehur shqetësim për rrjedhën e takimit dhe duke kërkuar trajtim të drejtë në garat sportive.
Në reagimin e klubit thuhet se, ndonëse zakonisht zgjedhin të flasin vetëm përmes lojës dhe rezultateve, ngjarjet e fundit i kanë detyruar të dalin publikisht. “Ajo që ndodhi dje në Ferizaj na detyron të reagojmë, sepse tejkalon çdo kufi të pranueshëm për një garë sportive të drejtë dhe të ndershme”, thuhet në deklaratë.
Më tej, Besa pretendon për ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve dhe ndikim në vendimet e gjyqtarit. “U lejuan ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve tanë pa top… ndërsa vendimet në fushë filluan të ndikohen në mënyrë të dukshme”, thuhet ndër të tjera, duke shtuar se si pasojë e këtyre situatave janë detyruar të bëjnë zëvendësime për shkak të lëndimeve që, sipas tyre, nuk janë sanksionuar siç duhet.
Klubi thekson se objektivi i tyre mbetet futbolli i pastër dhe respekti për lojën, ndërsa kërkon kushte të barabarta në garë. “Kërkojmë vetëm atë që është themelore në çdo garë sportive: drejtësi, barazi dhe kushte të njëjta për të gjithë”, thuhet në reagim.