Vendimi në rastin “Banjska” është marrë pa prova të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale, në mënyrë “ekspres” dhe pa një proces gjyqësor transparent.
Kështu thuhet në një reagim të Listës Serbe, parti kjo, nënkryetari i së cilës ishte organizatori kryesor i sulmit terrorist në fshatin e Zvecanit, më 24 shtator 2023, pas aktgjykimit që shpalli gjykata në Prishtinë, në lidhje me këtë zhvillim.
“Lista Serbe shpreh dënimin më të ashpër ndaj aktgjykimit me të cilin pjesëmarrësit në ngjarjet e Banjskës janë dënuar me dy burgime të përjetshme dhe një dënim prej 30 vitesh, pa paraqitje të provave të vlefshme, pa përcaktim të përgjegjësisë individuale dhe pa arsyetim të qartë të veprimeve konkrete që kanë ndërmarrë të akuzuarit”, thuhet në reagimin e kësaj partie, transmeton portal Kossev, përcjellë KosovaPress.
Sipas LS-së, që refuzoi t’i quajë të dënuarit terroristë, ani u gjetën fajtorë për këtë akuzë, ky vendim nuk do ta vendosë drejtësinë, por “as nuk do t’i kënaqë të dëmtuarit’. Aktgjykimi, sipas reagimit përbën “hakmarrje”, e cila, siç thuhet, “rrezikon edhe më tej sigurinë dhe të drejtat e serbëve” dhe thellon edhe më shumë mosbesimin e tyre ndaj institucioneve në Kosovë.