Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” ka ngritur shqetësimin për gjendjen e krijuar pranë digës së Liqenit të Badovcit, ku sipas saj zona është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash.
Në një postim në Facebook, kjo organizatë thekson se më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, në këtë zonë ishte organizuar një aksion pastrimi me pjesëmarrjen e vullnetarëve, institucioneve, organizatave, mediave dhe qytetarëve, gjatë të cilit ishin larguar sasi të mëdha mbeturinash. Megjithatë, sipas organizatës, gjendja sot është përsëri alarmante.
Postimi I plotë:
Më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, ne organizuam aksion pastrimi në këtë zonë. U mobilizuan vullnetarë, institucione, organizata, media dhe qytetarë. U larguan sasi të mëdha mbeturinash. Por sot, vetëm pak kohë më pas, gjendja është sërish alarmante.
Kjo tregon qartë se problemi nuk zgjidhet vetëm me aksione vullnetare. Ne mund të pastrojmë, mund të mobilizojmë njerëz, mund të kthehemi përsëri e përsëri në terren, por pa masa konkrete nga institucionet përgjegjëse, ndotja do të vazhdojë të përsëritet.
Si organizatë, shumë shpejt do të organizojmë aksionin e radhës për pastrimin e kësaj zone. Por duhet të jetë e qartë: vullnetarët nuk mund të jenë zëvendësim për përgjegjësinë institucionale.
Badovci duhet të mbrohet. Uji duhet të mbrohet. Përgjegjësia duhet të fillojë tani.