Udhëheqësit e pesë bashkësive fetare në Kosovë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke bërë thirrje për respekt, përgjegjësi dhe ruajtje të paqes shoqërore gjatë periudhës zgjedhore.
Në deklaratën e nënshkruar nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike, theksohet rëndësia e vlerave demokratike dhe nevoja për një klimë publike të përgjegjshme.
Po ashtu, deklarata kërkon refuzimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe nxitjes së dhunës, si dhe respektimin e diversitetit etnik, fetar e shoqëror.
Përfaqësuesit fetarë kanë vënë theksin edhe te rëndësia e ndershmërisë dhe saktësisë në komunikimin publik, duke kërkuar luftimin e dezinformimit dhe manipulimit, si dhe respektimin e ligjit dhe standardeve demokratike.“Fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë”, thuhet në deklaratë.