Federata Sindikale e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) i është drejtuar me një letër zyrtare presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, si dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për shkak të mosrealizimit të pagave të punëtorëve të transmetuesit publik.
Në letrën e saj, Federata thekson se edhe më 9 korrik pagat e punëtorëve të RTK-së nuk janë ekzekutuar, duke e cilësuar këtë si shkelje të një të drejte themelore të punës dhe cenim të dinjitetit të punëtorëve.
Federata Sindikale vlerëson se është e papranueshme që transmetuesi publik të funksionojë në kushte kur punëtorët nuk marrin pagat në afatet ligjore, pa afate të qarta, transparencë apo komunikim zyrtar nga organet drejtuese.
Në reagim kritikohet edhe Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, për të cilët thuhet se kanë dështuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre me transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie, ndërsa mungesa e informimit publik dhe mosofrimi i një zgjidhjeje konkrete konsiderohen të papranueshme.Po ashtu, kërkohet llogaridhënie institucionale për shkaqet që kanë çuar në këtë gjendje, si dhe masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Federata Sindikale paralajmëron se, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, do të përshkallëzojë veprimet sindikale dhe do të ndjekë procedurat ligjore pranë institucioneve kompetente për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Sipas saj, çdo pasojë që mund të ndikojë në funksionimin e RTK-së do të jetë përgjegjësi e Bordit dhe Menaxhmentit të transmetuesit publik.