Ramush Haradinaj po punon që të jetë kandidat konsensual i partive opozitare për president të Kosovës, thotë nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Ai deklaron për KosovaPress, se Haradinaj është në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për një gjë të tillë, mirëpo shton se s’ka informacione se deri ku kanë arritur bisedimet për zgjedhjen e të parit të vendit.
“Kosovës i duhet një president konsensual dhe në këtë drejtim ne jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe me figurën e zotëri Haradinaj, por edhe me ndonjë marrëveshje sa i përket presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës. Mendoj që është koha e duhur që opozita të unifikohet dhe të vendosë për një kandidat konsensual e në këtë rast pse mos të ishte edhe zotëri Haradinaj… Çdoherë janë në komunikim, zotëri Haradinaj edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, por edhe me kryetarin e LDK-së, zotëri Abdixhiku dhe mendoj që gradualisht mund të vijnë deri në një përfundim, por ende nuk kam ndonjë informacion të saktë në këtë drejtim deri ku kanë arritur ato bisedime sa i përket presidentit të vendit”, thotë ai.
Osmani ka shfaqur ambiciet për një mandat të dytë pesëvjeçar, mirëpo Lekaj thotë se gjashtë deputetët e AAK-së nuk kanë votë për të.
Krahas kësaj, Lekaj për KosovaPress flet edhe për dallaveret me vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas tij, procesi zgjedhor është i dëmtuar, andaj duhet të ripërsëriten zgjedhjet e 28 dhjetorit në tërë Kosovën dhe jo në ndonjë komunë të caktuar.
Lekaj, i cili në zgjedhjet e fundit nuk arriti të bëhet deputet, thotë se vendi po rrezikon kolapsin buxhetor në rast se nuk miratohet me kohë buxheti për vitin 2026.