LDK e respekton vendimin e Kushtetueses, Abdixhiku: Të gatshëm të kontribuojmë për zgjidhje
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
LDK e respekton vendimin e Kushtetueses, Abdixhiku: Të gatshëm të kontribuojmë për zgjidhje
Abdixhiku1234
25/03/2026 - 20:20
Linku u kopjua

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se partia e tij “e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike”.

Ai tha se për zgjedhjen e presidentit “përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare”.

Abdixhiku tha aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë, duke shtuar se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve”.

Postimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.

Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.

Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë.

Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.

Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026