Kuvendi i Kosovës ka miratuar shtatë marrëveshje ndërkombëtare. Në seancën e sotme, deputetët e mazhorancës dhe me ndihmën e deputetëve të LDK-së dhe të AAK-së, i dhanë dritën e gjelbër marrëveshjes ndërkombëtare për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, Kuvendi me 81 vota miratoi ratifikimin e Amendamentit nr. 3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2018, si dhe marrëveshjen për Amendamentin nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017.
Krahas kësaj, deputetët ratifikuan edhe marrëveshjen e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë - Mitrovicë” (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
Përkrahje iu dha edhe marrëveshjes për ratifikimin e kredisë tjetër me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.Në votimin e këtyre marrëveshjeve nuk ishin prezentë deputetët e PDK-së, ndërkaq deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë në votim./KosovaPress/