Vendimi përfundimtar në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë është shtyrë deri më 20 korrik 2026.
Konfirmimin për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit e ka bërë avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, i cili në një përgjigje për RTK ka konfirmuar saktësinë e informacionit të raportuar në media.
Fillimisht, vendimi përfundimtar ishte paraparë të shpallej më 19 maj, brenda afateve të përcaktuara procedurale. Megjithatë, sipas Rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për shpalljen e verdiktit, me mundësi shtyrjeje deri në 60 ditë shtesë, shkruan transmetuesi publik, RTK, përcjell KosovaPress.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.