Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Vendimi i Qeverisë nr. 05/218 i datës 28 gusht 2024 është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk cenon kompetencat apo të hyrat e Komunës së Graçanicës.
Ky rast, për të cilin ishte ankuar komuna në fjalë, lidhej me vendimin e Qeverisë për ndërtimin e “Qendrës Rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuara”, në parcela që ishin në pronësi të Graçanicës dhe që do t’i kalonin shtetit për interes publik.
Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata vlerësoi se Kushtetuta dhe Ligji për Pronën Publike i japin përparësi interesit publik në raste të tilla dhe obligojnë bashkëpunimin ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal. Gjykata theksoi se autonomia lokale nuk është absolute dhe duhet të ushtrohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Sipas Gjykatës, ndërtimi i qendrës për personat me nevoja të veçanta paraqet interes publik të qartë dhe të pakontestueshëm, duke kontribuar në mbrojtjen sociale dhe realizimin e të drejtave të kategorive të ndjeshme të shoqërisë. Po ashtu, u konstatua se projektet alternative të përmendura nga komuna nuk ishin realizuar.Raporti i votave në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këtë rast ishte 6 vota për dhe 1 kundër për konstatimin se Vendimi nr. 05/218 i Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën.
Njëjtë, 6 për dhe 1 kundër ishte edhe votimi për shfuqizimin e masës së përkohshme dhe vendimeve për vazhdimin e saj.