Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar për KosovaPress, se kërkesa e përfaqësuesve të Listës Serbe është dorëzuar të shtunën në mënyrë elektronike në gjykatë. Megjithatë, nuk është përgjigjur nëse ajo kërkesë konsiderohet e ligjshme.
Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula ka konfirmuar se gjykata ka pranuar këtë kërkesë me 30 gusht.
Lista Serbe njoftoi të shtunën se është ankuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kundër votimit, ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet pakicë gjatë seancës konstituive.
Lista Serbe njoftoi në Facebook se deputetët e saj dorëzuan sot një ankesë në Gjykatën Kushtetuese “për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e kuvendit në Prishtinë”.
Ankesa e partisë së serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar erdhi pasi kryetari i porsazgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb.