Kurti: Vëllezërit Bytyqi janë dëshmi e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve
4-Fourth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti: Vëllezërit Bytyqi janë dëshmi e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve
10/07/2026 - 10:03
Linku u kopjua
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi përfaqësojnë një dëshmi të qartë të krimeve të kryera nga shteti serb ndaj shqiptarëve, duke theksuar se mungesa e drejtësisë për vrasjen e tyre mbetet një barrë e rëndë.
Në një tubim përkujtimor të mbajtur të enjten mbrëma, në ballkonin e kryeministrisë, me rastin e 27 vjetorit të vrasjes së tyre, Kurti tha se historia e tre vëllezërve është histori e atdhedashurisë, e sakrificës dhe e përkushtimit ndaj lirisë.
Ai rikujtoi se Ylli, Agroni dhe Mehmeti, të lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si pjesë e njësitit të vullnetarëve "Atlantiku", ndërsa pas përfundimit të luftës u arrestuan nga policia serbe dhe u vranë nga aparati shtetëror serb, megjithëse kishin kryer dënimin prej 15 ditësh burg. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001 në varrezën masive në Petrovo Sello, në serbi, bashke me trupa të shqiptarëve tjerë të vrarë nag serbët gjatë luftës së Kosovës
"Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera", tha Kurti, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, kalimi i kohës nuk e zbeh detyrimin për drejtësi.
" Përkundrazi, çdo vit që kalon e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë", u shpreh ai.
Kurti theksoi se Kosova do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve, duke rikujtuar se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi për këtë krim.
Ai vuri në pah edhe simbolikën që vëllezërit Bytyqi kanë në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së.
"Vëllezërit Bytyqi e lidhnin në mënyrë të veçantë Republikën e Kosovës, kombin shqiptar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata ishin shqiptarë dhe amerikanë. Bij të Kosovës dhe qytetarë të Amerikës. Në jetën dhe sakrificën e tyre bashkoheshin dy vende të lidhura me miqësi historike dhe me përkushtimin ndaj lirisë", deklaroi Kurti.
Në fund të fjalimit, ai tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë angazhimin për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë për vëllezërit Bytyqi, duke insistuar që para drejtësisë të dalin si urdhërdhënësit ashtu edhe ekzekutorët e vrasjes së tyre. /KosovaPress/
/Kosovapress/