Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u diskutua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës së fundit dhe plotësimet e nevojshme për të.
Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, Akademisë së Shkencave, Universitetit të Prishtinës, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile, Kurti theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës është detyrim shtetëror që lidhet me kujtesën, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave.
Kurti rikujtoi se Qeveria e Kosovës themeloi në nëntor të vitit 2023 Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me synimin për të sistemuar dhe institucionalizuar dokumentimin e krimeve të luftës.
Sipas tij, lista preliminare e viktimave është rezultat i një procesi mbi dyvjeçar të mbledhjes, krahasimit dhe verifikimit të të dhënave, ndërsa secili emër në të përfaqëson një jetë të humbur dhe një pjesë të historisë së Kosovës.Ai theksoi se Kosova do të vazhdojë të dokumentojë dhe të ruajë kujtesën shtetërore mbi bazën e fakteve, me synim që e vërteta të shërbejë për drejtësi dhe si kujtesë kolektive për brezat që vijnë.