Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shprehur optimist për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kështu u shpreh Kurti pasi bëri homazhe të premten pranë monumentit të heroit “Zahir Pajaziti”, për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Ndërkaq, për zgjedhjen e presidentit, ai tha se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare, por sipas tij, të njëjtat duhet të jenë konstruktive.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit dhe presidentes së re, ju e dini se duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, ku kërkohet që 80 vota të deputetëve të jenë në kuti. Jemi të gatshëm, vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim. Kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë dhe e dini se si qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar dhe shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së njëmbëdhjetë nuk duhet ne të ndryshojmë. Ne ishim ata që morëm iniciativat për takime, ne ishim ata që ofruam bashkëqeverisje me LDK-në... Nga ana jonë ne kishim iniciativë, kishim oferta dhe propozime dhe kishim konstruktivitet dhe aktivitet. Shpresojmë që të tilla t’i shohim edhe te tiparet e opozitës, për dallim prej kësaj pranvere që po i vjen fundi”, shtoi ai.Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 21.1 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.6 për qind të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.