Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari morën sot pjesë në Forumin e dytë Ekonomik Kosovë-Kroaci në Zagreb.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu se kjo ngjarje simbolizon përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke thënë se Kosova është një treg i rëndësishëm që po zhvillohet vazhdimisht.
I pari i Qeverisë së vendit tonë, ka folur edhe për dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja, rritjen e qarkullimit të bizneseve më 2023 për gati 60% në krahasim me 2019 dhe përparësitë që ka Kosova për investitorë të huaj.
Ndër të tjera përmendi miratimin e Ligjit të ri për investimet e huaja, krijimin e Agjencisë për Investime dhe Eksporte, forcimin e kornizës ligjore për siguri maksimale për bizneset në Kosovë, zhvillimin e strategjive mbi shkëmbimin e përvojave dhe inovacioneve me vende tjera sikurse Kroacia, si dhe zhvillimi i sektorëve të energjisë, infrastrukturës dhe digjitalizimit.Ndërsa, ministrja Hajdari tha se Kosova po përjeton rritje të vazhdueshme ekonomike, duke përmendur mundësitë për zgjerim të sektorit industrial, përmirësimin e të bërit biznes, strategjia për zhvillim industrial dhe mbështetjen e biznesit 2030, nxitja e punësimit dhe rritja e kualifikimit të fuqisë punëtore.
Kosova e Kroacia nënshkruajnë marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve • KosovaPress
Ky ishte forumi i dytë ekonomik ndërmjet dy vendeve pas atij në Kosovë në janar 2023. Kryeministri Kurti ndodhet për vizitë pune në Kroaci, ku gjatë ditës ka takuar krerët e shtetit, si dhe janë nënshkruar marrëveshje ndërmjet delegacioneve të dyja vendeve. Kurti më pas do të vazhdojë vizitën në Slloveni.