Kosova nënshkruan marrëveshjen për sigurime shoqërore me Kroacinë
Biznes
Lexohet për: 2 min.
MFPT-01
14 orë më parë
Linku u kopjua

Kosova dhe Kroacia nënshkruan sot në Zagreb marrëveshjen për sigurime shoqërore, e cila iu mundëson qytetarëve të dyja vendeve realizimin e të drejtave si pensionet e moshës kontribut-paguese, ato familjare, pensionet e invalidëve të punës dhe e drejta për pension nga shtylla e dytë nëse kanë punuar e kontribuar në vendet përkatëse.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave të Kosovës, Hekuran Murati dhe ministri i Punës dhe Pensioneve të Kroacisë Marin Piletiq.

Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë, të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Kroaci do t’u mundësohet që pas arritjes të moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë. 

Gjithashtu, qytetarëve kosovarë iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës) në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo Kroaci.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas ratifikimit në parlamentet e dy vendeve.  

Kujtojmë, dy ditë më parë u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë, ndërsa marrëveshjet me Zvicrën, Belgjikën, Shqipërinë dhe Holandën janë duke u zbatuar tashmë.

Faza e negociatave të marrëveshjes për sigurime shoqërore me Austrinë dhe Turqinë ka përfunduar, ndërsa negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi pritet të fillojnë së shpejti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024