Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Agjencinë e Lajmeve KosovaPress për nder të 25-vjetorit të themelimit.
Në gala-mbrëmjen e KosovaPress-it, me rastin e 25-vjetorit të themelimit, Kurti tha se KosovaPress ka dhënë një kontribut tejet të çmueshëm për nxjerrjen në pah të së vërtetës në kohën e luftës në Kosovë.
Kurti, fjalimin e të cilit e lexoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se në betejën për informim të drejtë, Agjencia e Lajmeve KosovaPress ka qenë njësiti kryesor i luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese.
Derisa vuri në pah edhe botimin që Instituti i Historisë ka bërë në katër vëllime, ku janë përmbledhur të gjitha lajmet e KosovaPress-it, që nga themelimi më 4 janar deri në ditën e çlirimit të Kosovës.
Në anën tjetër, ai potencoi avancimin e Kosovës në lirinë e shtypit.
Ndryshe, nesër Agjencia e Lajmeve KosovaPress do të jetë nikoqire e konferencës ndërkombëtare "Kufijtë e Lirisë së Fjalës", për nder të 25-vjetorit të themelimit të saj.
Enkas për këtë konferencë, nga Kievi vjen edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.
Nesër mbahet konferenca ndërkombëtare "Kufijtë e lirisë së fjalës" • KosovaPress
Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.
Paneli i parë do të udhëhiqet nga Branka Gabriela Vojvodic nga Agjencia e Lajmeve Kroate HINA dhe përbëhet nga: Alan Marshall nga PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar, Camille Bouissou nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, Aimilios Perdiakris nga Agjencia Greke e Lajmeve ANA-MPA dhe Rodolfo Cardarelli nga Agjencia Italiane e Lajmeve ANSA.
Ky panel do të shqyrtojë çështje kritike si dezinformimi, përparimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmërinë financiare të agjencive të lajmeve në peizazhin e botës bashkëkohore mediatike.
Ndërkaq në pjesën e dytë të konferencës, fjalë rasti do të ketë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kosovapress-it, Suzana Rakovica.
Në panelin e dytë, folës do te jenë presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymeri, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.
EANA - The European Alliance of News Agencies (newsalliance.org)