Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot shënon 25-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës. KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.
25-vjetori, KosovaPress-in e gjen pjesë të rrjeteve të Agjencive të Lajmeve Ballkanit, ABNA-se (www.abnase.com) dhe Evropës, EANA (www.newsalliance.com ), duke e përmbyllur edhe ciklin e antarësimeve të saja në botë, aty ku Kosova është duke synuar.
Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, në shtator të po këtij viti, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve.
Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë (në shkurt 2002 mediat dëbohen nga ish-ndërtesa e Rilindjes), ndërsa më pas, falë punës dhe këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe, vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.
Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005 rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.
Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin.
Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni për fëmijë “Foleja”.
Në vitin 2017, KosovaPress, pas nje lobimi disavjeçarë anëtarësohet me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE www.abnase.com). KosovaPress, që prej anëtarësimit, wshtw duke dhënë një kontribut të vlefshëm në promovimin e vlerave nacionale në rrjetin e lajmeve që editohen në platformat e ABNA-së.
Pas presidencës 2021-2022, KosovaPress për dy vite vazhdon te jetë pjesw e bordit të ABNA-SE (https://abnase.com/contacts/).
Lobimi dhe përpjekjet për të qenë pjesë edhe e rrjeteve tjera të agjencive të lajmeve nuk u ndalën.
Në shtator të 2022-ës, në Asamblenë Gjenerale, KosovaPress pranohet zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe me ketë anëtarësim KosovaPress-it iu hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e lajmeve të Evropës duke sjell produktet që i ofrojnë këto agjenci (https://www.newsalliance.org/news/the-european-alliance-of-news-agencies-welcomes-kosova-press-as-new-member-and-stefano-de-alessandri-ceo-of-ansa-as-new-member-of-the-board).
Kushti për tu anëtarësuar ishin ¾ e votave të anëtarëve, ku brenda kësaj organizate janë 10 shtete që nuk e njohin Kosovën. Nga 32 anëtarë (Rusia ishte suspenduar në prill të po atij viti), KosovaPress duhej të merrte 24 vota të anëtarëve pavarësisht se prezenca nuk ishte e plotë). KosovaPress mori 25 vota duke u bërë anëtarja e 33-të e këtij rrjeti me të madh të agjencive të lajmeve e cila është themeluar më 1924 (https://www.newsalliance.org/members/).
Deri më tani ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shumë agjenci, përfshirë ATSH-në ( Shqipwri ), ANSA-n (Itali), ANA-MPA (Greqi), BTA (Bullgari), ANADOL AGJENCI (Turqi) dhe LUSA (Portugali) dhe është në proces edhe me shumë e shumë të tjera.
Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe vende të tjera të rajonit e me gjerë vazhdojnë t’i besojnë Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë, tashmë për vite me radhë.
Nga viti i kaluar, nga tre gjuhë, funksionon në tetë gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht edhe për klientët, ndërsa gjermanisht, italisht, frëngjisht, italisht, maqedonisht dhe turqisht përmes përkthimit automatik.
KosovaPress hyri në 25-vjetorin e themelimit me shumë plane e projekte të reja që disa do të prezantohen këtë vit, përfshirë hapësira të reja dhe faqen e re.